​Berisha: Përshëndes reagimin e Komunitetit Mysliman, i garantoj se nuk do ketë asnjë demonstrim afër territorit të xhamisë

14:15, 21/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili shprehu indinjatën për hedhjen e gazit lotësjellës pranë Xhamisë së Namazgjasë gjatë faljes së namazit të Teravive.

Ai ka përshëndetur këtë reagim dhe ka theksuar angazhimin e tij për të siguruar që nuk do të ketë asnjë demonstrim afër territorit të xhamisë. Berisha ka theksuar se protesta e opozitës ka pasur gjithmonë si synim mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë të qytetarëve, dhe se veprimet e tilla të dhunshme, si hedhja e gazit, janë të papranueshme.

Ai ka theksuar se, gjatë protestës, aktivistët dhe besimtarët që kishin ardhur për të falur namazin ishin penguar nga gazrat e hedhura, dhe ka siguruar që të gjitha protestat do të zhvillohen pa cenuar territorin e xhamive.

Fjala e tij: 

Floriana Garo: Në fakt sapo më dërguan një reagim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që thotë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.
Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.

Sali Berisha: Është rast për të përshëndetur këtë deklaratë të Komunitetit Mysliman dhe për të garantuar Komunitetin Mysliman se nuk do ketë asnjë akt demonstrues në territorin apo afër territorit të xhamisë. Se dje, ne, kam qenë dhe vetë aty, kemi devijuar në rrugën tjetër kastile për të mos i dhënë shkas hedhjes së gazit lotsjellës në territorin e xhamisë.
Por ata kanë hedhur pa asnjë shkak gazin drejt besimtarëve, sikundër kanë hedhur gazin drejt oborrit të PD pa asnjë shkak.
Kemi pasur, tani t‘ua them ju, kemi pasur ne protestues, besimtarë, të cilët kanë shkuar nga protesta për të falur namazin dhe nuk kanë hyrë dot për shkak të gazit.
Dhe janë ngjitur sipër në tarracë dhe kanë gjetur aty mbi 30 banditë me uniformë.
Unë i siguroj besimtarëve, siguroj imamët, siguroj drejtuesit e Komunitetit Mysliman se nuk do japim asnjë shkas për asnjë lloj veprimi në territorin e xhamisë.
Por nga ana tjetër, e siguroj bandën qeveritare se nuk do mund të përdorë kurrë si mburojë për parlamentin e krimit, i cili është dhe do të jetë nishan, objektiv ndër më kryesorët i kryengritjes paqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco