Sali Berisha ka dënuar me forcë përdorimin e gazit lotësjellës dhe bombave tymuese në xhaminë e Namasgjahes, gjatë faljes së namazit.
Ai ka theksuar se, pavarësisht se kishte marrë masa që protesta të mos zhvillohej afër xhamisë, aksioni dhunues i qeverisë ka shkatërruar këtë moment të shenjtë për besimtarët myslimanë, duke u treguar gjithashtu se si ata ishin goditur me gaz dhe bomba tymuese në momentin e lutjeve.
Berisha ka kërkuar gjithashtu që udhëheqësit shpirtërorë të komunitetit mysliman të shprehin qëndrimin e tyre për këtë akt të papranueshëm, ndërsa ka hedhur dyshime për lidhjen e mundshme të disa grupeve fetare me regjimin aktual.
Fjala e tij:
Renis Haçkaj: A do i kontaktoni përfaqësuesit e besimeve fetare dhe t’u kërkoni të mos përdoren nga regjimi. A kanë këta përfaqësues ndonjë koment për gazin e hedhur në kisha dhe xhami? A do të pranojnë këta përfaqësues që pas gazit lotsjellës të ulen bashkë me regjimin në dreka e darka iftaresh, syfyresh, bamirësie, etj?
Vehbi Alizeneli: Doktor, xhamia u mbyt në gaz lotsjellës dhe helmues. Si mundet Komuniteti Mysliman nuk ka reaguar? A mundet Rama të ketë gllabëruar edhe komunitete fetare në Shqipëri?
Sali Berisha: Tani, më lejoni të bëj një sqarim. Lidhur me gazin tek xhamia, ne e dinim se pas iftarit, mijëra besimtarë do të mbushnin sallat e xhamisë për të falur namazin dhe vendosëm që ne nuk do të zhvillojmë asnjë protestë në territorin apo paralel me territorin e xhamisë në mënyrë që të mos ketë asnjë shkak për hedhjen e gazit dhe prishjen e namazit të besimtarëve myslimanë.
Pavarësisht nga kjo, drejt xhamisë u hodhën bomba tymuese dhe gazi lotsjellës sa asnjëherë tjetër.
Tarracat e xhamisë u mbushën me banditë dhe patronazhistë me uniformë që është përdhosje për vakëfin.
Dënoj me forcën më të madhe dhunimin e xhamisë, dhunimin e besimtarëve gjatë faljes së namazit dhe hedhjen e gazit dhe bombave tymuese në territorin e xhamisë.
Jam i bindur se drejtuesit, udhëheqësit shpirtërorë të komuniteteve nuk pajtohen me qëndrime të tilla dhe në lutjet dhe në shpirtin e tyre ata do ta thonë fjalën.
A do komunikojnë ata me qeverinë, nuk mund të them se çfarë do bëjnë, pasi çdo komunikim bie në vesh të shurdhër.
© SYRI.net