Berisha i është përgjigjur pyetjeve lidhur me përdorimin e gazit lotësjellës të skaduar në protesta, duke e cilësuar atë si një veprim kriminal dhe të rrezikshëm. Ai theksoi se gazrat e skaduar janë disa herë më helmuese dhe mund të shkaktojnë dëm të plotë, përfshirë verbimin.
Berisha theksoi se në çdo vend tjetër, një rast i tillë do të hetohej me seriozitet, por në Shqipëri, thotë ai, nuk ka as ligj dhe as moral nga qeveria.
Ai e cilësoi këtë situatë si një luftë ndaj një armiku që nuk njeh asnjë normë, dhe rruga e vetme për të kundërshtuar këtë, sipas tij, është që opozita të vazhdojë përpjekjet e saj për një kryengritje paqësore.
Fjala e tij:
Renis Hackaj: A ka dispozita ligjore që rregullojnë përdorimin e gazit lotësjellës në protesta. Nëse ushqimet skadojnë hidhen, nëse ilaçet skadojnë, hidhen. Po me gazin e skaduar çfarë ndodh. A ka ndonjë praktikë ligjore kur gazi skadon, nëse nuk është zbatuar kush e ka fajin. Nëse një tregtar shet miell të skaduar, ai dënohet. Në këtë rast kush dënohet, kush e importon gazin lotësjellë në Shqipëri, me çfarë kontrate apo çmimi, a mund të hetojë kuvendi një çështje të tillë.
Sali Berisha: Keni shumë të drejtë për të gjitha çështjet që shtroni, për të gjitha pikëpyetjet. Përdorimi i gazit lotësjellës të skaduar, të cilin Top Tuneli në mënyrën më të neveritshme, më kriminale e cilësonte si një favor që i bëhej opozitës nga Edi Rama, sepse i bie efekti, në të vërtetë ai bëhet më helm, më i rrezikshëm disa herë se sa para afatit të skadimit, mbasi i skaduar mund të shkaktojë dhe verbim të plotë, humbje të shikimit.
Padyshim se kjo në një vend tjetër, jo në Shqipëri do të ishte objekt i një hetimi shumë intensiv. Kurse këta nuk njohin ligj, nuk respektojnë asnjë të drejtë të grupit parlamentar. Duhet të jemi të vetëdijshëm se përballë një armik që nuk ka as ligj e as moral dhe rruga e vetme kundër tij është kjo që kemi zgjedhur.
© SYRI.net