Gjatë zhvillimit të protestës kombëtare të opozitës, godina e Kryeministrisë është rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar pamje që, sipas denoncimit, tregojnë efektivë të Policisë së Shtetit pa numra identifikimi në uniformë.
Avokati Altin Goxhaj ka shpërndarë pamjet në rrjetet sociale, duke theksuar se policët e angazhuar në perimetrin e sigurisë nuk mbajnë numra identifikimi të dukshëm, siç parashikohet nga standardet e transparencës dhe përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës.
Kujtojmw se mbajtja e numrit të identifikimit është një detyrim që garanton llogaridhënie dhe mundëson identifikimin e efektivëve në rast të shkeljeve apo tejkalimit të kompetencave. Numri i identifikimit shërben për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi me detyrën dhe për të siguruar hetim të paanshëm në rast pretendimesh për dhunë apo shkelje të të drejtave.
Mungesa e këtyre numrave nuk është rastësore, por pjesë e një parapërgatitjeje të qëllimshme nga ana e qeverisë, me qëllim ushtrimin e mundshëm të dhunës ndaj protestuesve pa pasoja individuale për efektivët. Fakti që numrat e identifikimit janë fshehur, tregon se struktura të Policisë së Shtetit janë përgatitur për ndërhyrje të ashpër, duke shmangur përgjegjësinë personale të punonjësve në terren.
Protesta kombëtare e opozitës po zhvillohet në Tiranë mes masave të shtuara të sigurisë, ndërsa situata vijon të monitorohet.
© SYRI.net