Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, në një deklaratë për SYRI TV nga selia e PD-së, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar për sot në orën 18:00 në Tiranë.
Ai e cilësoi largimin e kryeministrit Edi Rama si një interes kombëtar, duke e lidhur situatën ekonomike, sigurinë dhe procesin e integrimit europian me qeverisjen aktuale.
‘Unë mendoj që është shumë e qartë që këtu jemi në vazhdimësi të një aksioni të nisur, në një betimi mbarëkombëtar për të bërë gjithçka dhe për të marrë çfarëdolloj mase të nevojshme për largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës nuk është çështje e Partisë Demokratike, nuk është një çështje politike, por është interes kombëtar.
Në qoftë se qytetarët sot nuk kanë para në xhepin e tyre, arsyeja është e thjeshtë, sepse kanë një kryeministër që erdhi me 3 milionë lekë në bankë dhe ndërkohë sot ka bankat e veta personale.
Kanë një kryeministër që ishte me shtëpi me qira, ndërkohë sot ka vilën, apartamentin, banesën më të madhe në Europë, nga të gjithë kryeministrat e Europës. Pra, në këtë aspekt, në qoftë se ka një arsye themelore për varfërimin e qytetarëve shqiptarë, është pa diskutim Edi Rama.
Ka marrë paratë e tyre, i ka futur në llogaritë e veta bankare, të tij, të Lubi Ballukut e të të gjithë hajdutëve që ai përfaqëson. Përpos kësaj, si asnjëherë tjetër, jeta e qytetarëve shqiptarë është e pasigurt.
Siç e pamë me aferën e AKSHI-t, ku informacionet dhe të dhënat personale i kanë shkuar karteleve të drogës. I kanë shkuar kartelit Çopja e të gjithë karteleve të cilët ai përfaqëson sot, nga karteli i Troplinëve e deri te Xhabaftët e Vorës.
Pra, në këtë aspekt, është një detyrim kombëtar që sot të dalim në protestë dhe të vazhdojmë këtë betejë. Të gjithë qytetarëve që na ndjekin, unë i jap vetëm këtë, i bëj vetëm këtë kërkesë: të bashkohen sepse kjo është një opozitë që nuk i lë në baltë. Të bashkohen sepse kjo është një opozitë që do t'i shkojë deri në fund kësaj beteje. Me hir a me pahir, Edi Rama do të largohet.
Nuk mundet që të bëhet kurban integrimi i Shqipërisë në Europë, që të vazhdojë vjedhjen Belinda Balluku, Edi Rama dhe Ergys Agasi’, tha Klevis Balliu në SYRI TV.
© SYRI.net