Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e sotme në orën 18:00.
Ai e cilësoi 20 shkurtin 2026 si një ditë historike, duke e krahasuar me 20 shkurtin e vitit 1991 që, sipas tij, solli pranverën e demokracisë në Shqipëri.
Berisha deklaroi se kjo datë do të shënojë “pranverën e re” dhe përmbysjen e regjimit aktual. Ai u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve dhe besimeve të bashkohen kundër asaj që e quajti një e keqe që po shkatërron vendin. Berisha theksoi se protesta synon të “firmosë fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes sonë".
Fjala e Berishës:
Sot është dita e historisë, jo vetëm e 20 shkurtit të vitit 1991, por po kaq e 20 shkurtit të vitit 2026.
20 shkurti i vitit 1991 solli pranverën e demokracisë.
Solli çlirimin e Shqipërisë nga kulti më mizor që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre.
20 shkurti i vitit 2026 do të sjellë pranverën e re, do të sjellë përmbysjen e hajdutit më të keq, më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.
Ndaj dhe jam këtu për të ftuar çdo qytetar shqiptar, çdo opozitar, qytetarë të të gjitha bindjeve, të të gjitha besimeve, pavarësisht se çfarë mendimesh, opinionesh, kritikash, pakënaqësirash, objeksionesh që mund të kemi për njëri-tjetrin, të bashkohemi të gjithë kundër kësaj të keqe që po shterron lëndën tonë kombëtare, kombin tonë.
Po shkatërron Shqipërinë.
Sot është një ditë që çdo qytetar të shprehë zemërimin e tij në sheshin e dinjitetit, e guximit, e misionit.
Ndaj dhe edhe njëherë, ftesa ime për mbarë shqiptarët, në një uragan të fuqishëm që Tirana nuk e ka parë nga viti 1991, të bashkohemi për të firmosur së bashku fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes tonë.
Fitoren tonë!
© SYRI.net