Edhe pse reshjet e dendura të shiut nuk kanë ndalur aktivitetin, banorët e disa fshatrave pranë Gramzës kanë dalë sot në protestë për të kërkuar përmirësimin e gjendjes së aksit rrugor që lidh autostradën Thumanë-Kashar me rrugën e vjetër Thumanë-Fushë Krujë.
Rreth 500 metra i këtij aksi janë në gjendje të degraduar dhe nuk është kryer asnjë investim për riparimin e tij, duke e bërë të rrezikshëm për qarkullimin e mjeteve dhe banorëve.
Protestuesit kanë bllokuar rrugën për rreth një orë, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të ketë protesta të tjera nëse situata nuk përmirësohet dhe autoritetet nuk ndërhyjnë për të riparuar aksin.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga Bashkia dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se çdo vonesë mund të rrisë rrezikun për aksidente dhe për keqësimin e gjendjes së rrugës.
© SYRI.net