Nga Shkëlzen Hasanaj
Një strategji kombëtare për të frenuar largimin e të rinjve shqiptarë dhe për të nxitur rikthimin e akademikëve dhe specialistëve të diasporës nuk është thjesht një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri strukturore për qëndrueshmërinë demografike, ekonomike dhe institucionale të vendit.
Nga këndvështrimi sociologjik, Shqipëria nuk po përjeton vetëm migracion, por një hemorragji selektive të kapitalit njerëzor. Nuk largohen vetëm të rinj në kërkim pune, por mjekë, inxhinierë, studiues, pedagogë dhe profesionistë të kualifikuar. Kjo sjell një dyfishim të pabarazisë: dobësim të kapaciteteve të brendshme dhe forcim të sistemeve të vendeve pritëse.
Në planin demografik, emigrimi i të rinjve përshpejton plakjen e popullsisë, ul lindshmërinë dhe redukton forcën e punës së kualifikuar. Siç kemi vërejtur në studimet mbi Ballkanin Perëndimor, krijohet gradualisht një “shoqëri e largimit”, ku projekti jetësor i të rinjve orientohet drejt emigrimit dhe jo ndërtimit të së ardhmes në vend.
Në planin ekonomik, çdo i ri i formuar në Shqipëri përfaqëson një investim publik në arsim dhe formim profesional. Kur ai emigron në mënyrë të përhershme, shteti humbet këtë investim, tregu i punës varfërohet nga kompetencat strategjike dhe rritet varësia nga jashtë. Paradoksi është i qartë: kapitali njerëzor i formuar brenda vendit kontribuon në zhvillimin e ekonomive të tjera.
Në planin institucional, largimi i elitave të reja dobëson administratën publike, universitetet, sistemin shëndetësor dhe kërkimin shkencor. Mungesa e mjekëve, pedagogëve dhe studiuesve në Shqipëri është tashmë një pasojë konkrete e emigrimit strukturor.
Në të njëjtën kohë, diaspora akademike dhe profesionale shqiptare përbën një burim strategjik. Pa politika rikthimi, “brain drain”-i rrezikon të bëhet i përhershëm; ndërsa politika të “brain circulation” do të mundësonin transferim njohurish, inovacion institucional dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Një dinamikë e rëndësishme sociologjike në Shqipëri është edhe fakti se boshllëqet e krijuara nga largimi masiv i të rinjve shqiptarë po mbushen gradualisht nga flukse të jashtme, veçanërisht në sistemin universitar dhe në disa sektorë profesionalë. Kjo nuk është një çështje identitare apo kulturore, por një pasojë funksionale e zbrazjes së kapitalit njerëzor kombëtar.
Është thelbësore të sqarohet se kjo analizë nuk ka asnjë karakter racizmi apo diskriminimi. Si qasje sociologjike e përqendruar në politikat publike, ajo nuk lidhet me origjinën e studentëve apo komuniteteve të huaja, të cilat janë pjesë normale e ndërkombëtarizimit akademik. Problemi real nuk është prania e studentëve ndërkombëtarë, por pamundësia e shtetit për të mbajtur dhe rikthyer të rinjtë shqiptarë të kualifikuar. Shkelzen Hasanaj, PhD, Profesor i Sociologjise ne UNINT Rome
© SYRI.net