'Gardisti e ndaloi të merrte pjesë në aktivitetin TID me qytetarët e Durrësit', Ndoja: Shkelje e statusit të deputetit

'Gardisti e ndaloi të merrte pjesë në aktivitetin TID me qytetarët e Durrësit', Ndoja: Shkelje e statusit të deputetit

11:35, 19/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputet i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja ka denoncuar në Kuvend një incident të ndodhur në Bashkinë e Durrësit, ku ai dhe një koleg i tij janë penguar të marrin pjesë në një takim publik nga një punonjës i Gardës së Republikës.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një takimi me komunitetin për projektin "TID", ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri.

Sipas deputetit, ndonëse dy përfaqësuesit e opozitës në qark tentuan të ishin pjesë e diskutimit, një gardist ua ka ndaluar hyrjen.

LEXO EDHE: Projekti TID në Durrës, shteti u prish shtëpitë banorëve pa kompensim të drejtë

Deputeti theksoi se punonjësi i Gardës nuk ishte personi i autorizuar për organizimin e mbledhjes dhe se vendimi i tij për t’i ndaluar ishte "jo ligjor".

Në fjalën e tij, Ndoja argumentoi se një veprim i tillë përbën një shkelje të rëndë të statusit të deputetit dhe të marrëdhënieve institucionale.

Ai iu referua detyrimit ligjor që kanë institucionet vendore, përfshirë kryetarin e bashkisë dhe Këshillin Bashkiak, për të informuar deputetët e zonës për çdo mbledhje apo seancë ku diskutohen të drejtat dhe interesat e banorëve, siç ishte rasti i projektit "TID".

"Ne nuk bëjmë debat me gardistët, sepse ata nuk e kanë nivelin e duhur të njohurive ligjore për statusin e deputetit", u shpreh ai, duke shtuar se përgjegjësia nuk bie mbi punonjësin individual, por mbi eprorët e tij. 

Fjala e plotë në Kuvend:

"Bazuar në rregulloren neni 95 kërkohet që çdo të mërkurë të na kthehet përgjigje në lidhje me seancën e pyetjeve dhe përgjigjeve.

Është depozituar në sekretari, ka të bëjë dhe me atë shqetësimin e mëparshëm që ka dhe me statusin e deputetit në lidhje me marrëdhëniet e institucioneve, qoftë të administratës vendore, qoftë të institucioneve të tjera, në raport me respektimin e detyrimeve që kanë për të kthyer përgjigje dhe për protokollin e organizimit të mbledhjeve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qarkut.

Kemi pasur një situatë ku në Bashkinë Durrës, në ambientin e qytetarëve të Bashkisë Durrës, është bërë një takim me komunitetin për projektin TID.

Ka marrë pjesë kryeministri. Kemi shkuar dy deputetë të Partisë Demokratike përfaqësues të qarkut dhe një punonjës i Gardës së Republikës, duke mos qenë personi i autorizuar i cili bënte bashkërendimin dhe organizimin e mbledhjes, me të drejtën e tij, por jo ligjore, na thotë që ju nuk mund të merrni pjesë në mbledhje.

Ndërkohë që ne, Këshilli Bashkiak dhe kryetarja e bashkisë ose kryetari i bashkisë, kanë detyrimin të na informojnë në lidhje me seancat e Këshillit Bashkiak dhe çdo seancë tjetër ku bëhet fjalë për të drejtat dhe interesat e banorëve.

Projekti TID është tashmë një ngjarje e njohur për të gjithë banorët dhe për ne.

Ne nuk bëjmë debat me gardistët, se gardistët nuk e kanë nivelin e njohurive ligjore të duhur dhe as për statusin e deputetit, por dikush duhet t'ju kërkojë llogari dhe të paktën t'ju japë instruktazhin e nevojshëm, se deputetët si të Partisë Demokratike".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco