Nga Ndriçim Kulla/
Kriza e rëndë politike dhe morale që e shoqëron sot figurën e Edi Ramës nuk përballet më me argument, transparencë apo llogaridhënie, por me një strategji të konsumuar të zhurmës diplomatike. Në mungesë të fakteve shfajësuese, pushteti ka zgjedhur të prodhojë imazhe; në mungesë të legjitimitetit të brendshëm, ai përpiqet të importojë shkëlqim nga jashtë. Ftesat ndërkombëtare, reale apo të fryra në përmasë, janë shndërruar në mjetin e fundit publik për të shtyrë, jo për të zgjidhur, peshën e akuzave që rëndojnë mbi kryeministrin dhe qeverisjen e tij.
Në thelb, kemi të bëjmë me një përpjekje për të kthyer formalitetin diplomatik në triumf qeverisës, protokollin në dëshmi morale, fotografinë në alibi politike. Ky është mekanizmi klasik i pushteteve të korruptuara dhe lodhura: kur realiteti i brendshëm bëhet i padurueshëm, pushteti përpiqet ta relativizojë atë me imazhe të jashtme, me lëvizje simbolike, me “bubullima ftesash” që prodhojnë më shumë zhurmë sesa kuptim.
Deklarata e fundit, e shoqëruar me triumfalizëm të tepruar – “Ja, unë do shkoj në Uashington! Me ftesë të presidentit” – nuk është shenjë suksesi , por simptomë ankthi. Është shprehja e çastit kur pushteti nuk arrin më të mbajë brenda frikën e tij dhe e nxjerr atë në formë mburrjeje. Ky është momenti kur psikologjia politike e liderit zbulohet: sa më shumë rritet trysnia e akuzave për afera shtetërore, korrupsion dhe lidhje kriminale, aq më i domosdoshëm bëhet për të prodhimi i një “momentumi” artificial ndërkombëtar.
Në këtë kuptim, ftesat ndërkombëtare, udhëtimet, fotografitë, protokollet dhe deklaratat triumfaliste nuk janë akte diplomatike, por rituale ankthi. Ato janë tentativa për të ndërtuar një realitet paralel, ku figura e liderit duket ende e pranuar, ende e ftuar, ende e përfshirë. Imazhi bëhet formë anestetike: nuk shëron, por mpin dhimbjen.
Kjo është psikologjia e pushtetit që e ndien fundin përpara se ta shohë. Një pushtet i sigurt nuk ka nevojë të shpallë vlerën e vet; një pushtet i dobësuar e shpall atë me zë të lartë, sepse kërkon ta dëgjojë vetë. Kur lideri thotë “jam i ftuar”, ai në të vërtetë po i flet frikës së tij më intime: frikës se po mbetet vetëm.
Por një udhëtim, sado i bujshëm të paraqitet, nuk është triumf. Një fotografi, sado e kuruar, nuk është shfajësim. Një shtrëngim duarsh nuk është as dëshmi pafajësie, as certifikatë qeverisjeje e mirë. Përkundrazi, shpesh fotografia është pikërisht vendi ku fshihet gënjeshtra më e madhe: ajo ngrin një çast, por nuk ndalon historinë. Dhe historia, ndryshe nga imazhi, nuk manipulohet lehtë.
Rreziku më i madh në këtë strategji është përpjekja për të ngatërruar dy gjëra që nuk duhet të ngatërrohen kurrë: statusin historik amerikan-dashës të Shqipërisë dhe figurën personale të një kryeministri të akuzuar rëndë. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk janë pronë e asnjë individi, as kapital personal për t’u shpenzuar në mbrojtje të halleve private të pushtetit. Ato janë ndërtuar ndër dekada, me sakrifica, me orientim strategjik dhe me një besnikëri institucionale që nuk mund të reduktohet në interesat momentale të një lideri.
Këtu qëndron edhe keqleximi i madh politik i Edi Ramës: ai sillet sikur afërsia historike e Shqipërisë me SHBA-në mund të përdoret si mburojë personale. Sikur respekti për shtetin shqiptar të përkthehej automatikisht në imunitet për kryeministrin e tij. Por diplomacia amerikane funksionon ndryshe: ajo di të ndajë qartë shtetin nga individi, aleatin nga qeverisja e përkohshme, interesin strategjik nga vlerësimi moral i aktorëve.
Në këtë kuptim, analogjia me ftesën e Davosit është e saktë: jemi brenda kornizës së formalitetit, jo të shpëtimit politik. Ftesa prodhon prani, jo legjitimitet. Jep oksigjen momental, por nuk shëron sëmundjen. Ajo i ofron kryeministrit vetëm një hapësirë të vogël psikologjike për të shtyrë krizën, për të sulmuar kundërshtarët me gjuhë më agresive, për të krijuar iluzionin e mbështetjes ndërkombëtare. Por iluzioni është i përkohshëm.
Përpjekja për të zbukuruar këtë realitet me albume miqësish të shtirura familjare, me referenca ndaj Ivanka Trump apo Jared Kushner, nuk ndryshon asgjë thelbësore. Bota nuk përmbyset nga selfie-t, as drejtësia amerikane nga kujtime private. As MAGA, as administrata shtetërore, as institucionet ligjzbatuese nuk funksionojnë mbi nostalgji personale apo mbi marrëdhënie shoqërore të instrumentalizuara.
Edhe sikur të ndodhë një takim formal, ai do të shprehte vetëm respekt për Shqipërinë si shtet, jo për Edi Ramën si individ politik. Ky dallim është kyç dhe i pamohueshëm. Historia e “kusarit të 83 mandateve”, e sforcimit të votave, e manipulimit institucional dhe e hijes së akuzave nuk zhduket në aeroporte, as në sallat e pritjes. Ajo udhëton bashkë me të, e padukshme, por e pranishme në çdo moment.
Në fund, strategjia e kthimit të ftesave të sponsorizuara në triumfe qeverisëse është shenjë e një pushteti që e di se koha e tij po mbyllet. Është përpjekje për të blerë kohë, jo për të ndryshuar fatin. Sepse agjenda e shtetit amerikan nuk riformulohet për të shpëtuar një kryeministër të korruptuar; ajo ndërtohet mbi interesa afatgjata, mbi siguri, ligj dhe besueshmëri.
Dhe këto janë pikërisht fushat ku Edi Rama ka humbur betejën.
© SYRI.net