Një mision fakt-mbledhës i Parlamentit Europian nga Komisioni për Punët e Jashtme ka mbërritur në Tiranë, duke sinjalizuar një rritje të presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare.
E ftuar në emisionin ‘Task Force’, drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Ilda Zhulali Vizita, tha se vizita e cila nuk konsiderohet rutinë, ka për qëllim hetimin e një sërë zhvillimesh politike, duke nisur nga zgjedhjet e kontestuara të vitit të kaluar e deri te skandalet e fundit që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit.
Sipas saj, qëllimi është të krijohet një pasqyrë e qartë mbi situatën, përgjegjësitë e qeverisë shqiptare dhe gjendjen e demokracisë në vend.
Gjetjet e këtij misioni, shtoi Zhulali, pritet të jenë thelbësore dhe do të reflektohen në një raport specifik për Shqipërinë, i cili do të publikohet brenda dy javësh, i cili do të shërbejë si bazë për progres-raportin e ardhshëm të Shqipërisë dhe parashikohet të përfshijë një seri kushtesh të reja për vendin në rrugën e tij drejt integrimit europian.
Situata cilësohet si delikate, pasi në varësi të gjetjeve, ndërsa mund të vendosen penalitete që prekin drejtpërdrejt qytetarët, shtoi zyrtarja e PD, si pezullimi i fondeve të BE-së apo një prapakthim në procesin e negociatave.
Por sipas Zhulalit, presioni ndërkombëtar nuk kufizohet vetëm me këtë mision, pasi së shpejti, pritet të mbërrijë në Shqipëri një tjetër delegacion nga Partitë Popullore Europiane (EPP) për të përforcuar të njëjtin mesazh.
Ne e kemi paralajmëruar që do të vinte misioni i Parlamentit Europian, nga Komisioni i Jashtëm, që është këtu për të mbledhur fakte, duke filluar që me zgjedhjen e vitit të kaluar, të cilat ne i kemi kontestuar, po ashtu dhe raporti i OSBE-ODIHR-it. Por, nuk ka ndaluar aty, sepse në Shqipëri ka ndodhur dhe një seri skandalesh, për të cilat eurodeputetët janë vënë në dijeni, dhe kanë ardhur këtu për t'u takuar me të gjitha palët, përfshirë edhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë të ndryshëm, dhe për të parë se ku qëndron qeveria shqiptare dhe çfarë përgjegjësish ka ajo ndaj kësaj rrethane të re, le të themi, politike në të cilën ndodhemi.
Fillimisht, janë mbledhur faktet pas gjithë takimeve që janë bërë, dhe jam e bindur që kanë arritur të gjejnë një emërues të përbashkët në pothuajse të gjithë takimet, që këtu nuk ka më qeverisje, po ka një shtet të kapur. Dhe këto gjetje do të reflektohen fillimisht në raportin që do të prodhohet për Shqipërinë pas dy javësh, po në Parlamentin Europian, ku do të miratohet progres-raporti për Shqipërinë, por edhe një seri kushtesh të tjera që do të reflektojnë gjetjet e këtij misioni në Shqipëri.
Do të ketë dhe një tjetër mision që do të vijë përsëri së afërmi, për pak ditë, po nga Partitë Popullore Europiane, që do ta përforcojnë më shumë, edhe më shumë këtë mesazh që do të japë Bashkimi Europian në të gjitha nivelet. Ju e keni parë që jo më larg se mbrëmë, Komisioni Europian nxori një deklaratë për shtyp për, për të thënë, për t'i dhënë një mesazh qeverisë së Rama që nuk do ta kalosh me kaq, këto ndryshimet ligjore që po tenton të bëjë, nuk do të lihen në heshtje. Ka një interes të shtuar të medias europiane, medias ndërkombëtare, presioni mbi qeverinë aktuale, mbi Edi Ramën, sapo vjen edhe shtohet edhe më shumë.
Tani që këto të mos përkthehen në kushte shtesë për Shqipërinë, që të mos përkthehen në penalitete për Shqipërinë, që përfshin pezullim fondesh, prapsim në statusin e negociatave ku është Shqipëria e të tjerë, do të duhet që Edi Rama të bëjë hapa pas. Me Serbinë kanë qenë të drejtpërdrejtë. Patjetër, pati një sqarim në takim për deklaratën e pavend të zonjës Kos, edhe ku tha që ajo ka reflektuar sepse nuk ishte brifuar realisht për atë qëndrim që mbajti kundër Shqipërisë. Dhe se qëndrimi zyrtar i Komisionit Europian është ai që ka prodhuar raport, OSBE-ODIHR-i përmes raportit përfundimtar për zgjedhjet. Ky është edhe qëndrimi zyrtar i Komisionit Europian.
Nuk ishte vend për interpretime të tjera dhe mesazhi kryesor që këto takime nuk janë rastësore, nuk janë rutinë, janë pjesë e vijimit të aksionit të opozitës, që ka lajmëruar tashmë dhe ka ndërtuar një partneritet tjetër edhe me interlokutorët europianë, dhe me të tjerë të huaj, dhe përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tashmë këto janë pjesë e një aksioni të përbashkët që vjen nga brenda, por dhe nga jashtë.
© SYRI.net