Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister, dha një deklaratë për mediat, ku foli për hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave me BE-në.
Ai bëri me dije se ka nisur puna për raportin vjetor, i cili do të prezantohet në Parlamentin Europian të enjten e ardhshme.
“Vizita jonë është në një kohë shumë të përshtatshme, duke qenë se Shqipëria e ka hapur grupkapitullin e fundit në nëntor 2025 dhe po pret raportin e vlerësimit të standardeve të ndërmjetme.
Po punojmë mbi raportin vjetor, i cili do të prezantohet në Parlamentin Europian javën e ardhshme, ditën e enjte”, tha ai.
Gjatë vizitës janë zhvilluar takime me përfaqësues të klasës politike në Shqipëri. Ai nxiti përpjekje të mëtejshme për dialog, por njëkohësisht nuk e fshehu shqetësimin për polarizimin politik në vend.
“Ne vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian dhe njohim rezultatet e forta, dëshmi e të cilave është edhe hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave, si një arritje e rëndësishme. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Shqipëria duhet të punojë edhe më fort për përmbushjen e detyrimeve. Jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik në vend. Shumica duhet të krijojë hapësirë për opozitën.
Dua të theksoj tri pika që janë shumë të rëndësishme për Parlamentin Europian, pasi lidhen me vlerat themelore: së pari, duhet të vijojë lufta kundër korrupsionit. Është bërë punë në këtë fushë, por nuk jemi ende të kënaqur. Nevojitet zbatim i plotë i legjislacionit, plotësim me staf i strukturave të drejtësisë, mungesë e ndërhyrjeve politike dhe që politikanët të japin shembullin.
Së dyti, duam të shohim një reformë zgjedhore reale, e cila të realizohet në kohë të mjaftueshme, të jetë gjithëpërfshirëse me opozitën dhe t’u përgjigjet rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Së treti, duam të shohim përpjekje të forta për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik. Kjo kërkon më shumë transparencë nga pronarët e mediave dhe masa garantuese për mbrojtjen e gazetarëve”, tha McAllister.
Kryetari i delegacionit e përmbylli duke theksuar se për këtë nuk mjafton vetëm legjislacioni, por kërkohet zbatim i plotë i reformave.
© SYRI.net