Neni 242 i Ramës asgjëson SPAK-un, ndërkombëtarët përpara provës së zjarrit!

Neni 242 i Ramës asgjëson SPAK-un, ndërkombëtarët përpara provës së zjarrit!

13:09, 18/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili/

Ka shumë personazhe të kapur nga Rama, analistë e juristë, që po përpiqen të bindin dynjanë se është normal ndryshimi i nenit 242 të Kodit Penal nga Rama, që ndalon pezullimin nga detyra prej SPAK-ut të Ramës dhe ministrave.

Pa as më të voglin dyshim, është e qartë se nga halli i madh Rama paguan avokatë publikë për të mbrojtur veten.

Çështja është e thjeshtë: ose do të miratohet ndryshimi i nenit 242 të Kodit Penal dhe do të asgjësohet de facto SPAK-u, ose do të rrëzohet ky ndryshim i nenit 242 dhe SPAK-u do të vazhdojë të ekzistojë.

Reforma në drejtësi, me insistimin dhe mbështetjen politike, teknike dhe financiare të SHBA-së dhe BE-së, për shkak të korrupsionit të tmerrshëm dhe rritjes galopante të krimit të organizuar dhe narkotrafikut, krijoi një Prokurori dhe Gjykatë speciale për ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe kryeministrin.

SPAK dhe GJKKO janë instrumente ligjore atipike, që nuk gjenden në legjislacionet e asnjë vendi tjetër, dhe ndryshimet e nenit 242 nga Rama e kthejnë në hiç SPAK-un dhe ndërtojnë një bunker ligjor për Ramën dhe të gjithë hajdutët qeveritarë.

Rama dhe mbështetësit e tij mediatikë na qenkan të preokupuar se mos na u çmendka ndonjë prokuror dhe do na pezulloka kryeministrin.

Po avokatinë e cilit Ramë po bëjnë këta?

Është Rama që ka shitur kufijtë detarë të Shqipërisë, gjë që është bërë e qartë në mënyrë asgjësuese me letrën që Presidenti Meta ua çoi 140 deputetëve të Kuvendit.

Është Rama që në aferën McGonigal shiti interesat e vendit te një agjent i korruptuar që punonte me oligarkët e sanksionuar rusë.

Është Rama që ka dëmtuar shtetin me miliona euro për aferën Becchetti.

Është Rama që shkatërroi e shiti për interesa korruptive asetin më strategjik të Shqipërisë, Portin e Durrësit, etj., etj., etj.

Përpara se të shfaqet ky prokuror i supozuar i komprometuar, Shqipëria ka një kryeministër të korruptuar, të shitur dhe të komprometuar.

Ndaj edhe gjithë kjo avokati e nenit 242, që Rama kërkon ta kthejë në bunker ligjor për veten, bie për tokë në çast.

Ose neni 242 i Ramës, ose SPAK-u; të dyja s’mund të ekzistojnë kurrsesi, sepse SPAK-u shndërrohet përfundimisht në një institucion të tredhur totalisht dhe krejtësisht të panevojshëm.

Ndërkombëtarët janë përpara provës së zjarrit.

Nëse heshtin dhe pranojnë ndryshimin e nenit 242 nga Rama, këta ndërkombëtarë nuk i duhen më as dreqit, sepse kanë mbytur opinionin shqiptar me tonelata propagandë për reformën në drejtësi dhe për SPAK-un në veçanti, ndërkohë që ky SPAK po varroset nga Rama për të mbrojtur veten.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco