Juristi i njohur Sokol Hazizaj, i ftuar në emisionin 'A SHOW' në Syri TV, foli mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë, ku u shpreh se paralajmërimet për “kundërsulm” ndaj atyre që hetojnë ekzekutivin përbëjnë presion të hapur ndaj SPAK dhe gjyqësorit.
Hazizaj theksoi se në një shoqëri demokratike është e papranueshme që kreu i qeverisë t’u dërgojë mesazh gjyqtarëve dhe prokurorëve se, nëse merren me të, do të përballen me reagim nga pushteti ekzekutiv. Sipas tij, kjo retorikë synon të ndikojë psikologjikisht te organet e drejtësisë dhe të vërë në diskutim pavarësinë e tyre.
Ai ngriti dyshime të forta edhe mbi mënyrën si funksionojnë strukturat e drejtësisë, duke deklaruar se në shumë raste “ecin mbi emrin dhe jo mbi procedurën”, ndërsa u shpreh se Gjykata Kushtetuese ka humbur dinjitetin dhe substancën juridike, deri në pikën që “nuk kemi realisht Gjykatë Kushtetuese”.
Hazizaj paralajmëroi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale tregojnë se mazhoranca nuk ka qëllim të çojë Shqipërinë në BE dhe se reforma në drejtësi duhet ribërë për të rivendosur shtetin e së drejtës.
Pjesë nga deklarata:
Kryeministri me arrogancë foli nëpër programe televizive dhe po me arrogancë flet edhe tani. Nuk mund t’i kërkosh një njeriu të mos jetë arrogant; njeriu është ashtu si është, piqet dhe pjekuria vjen me vonesë. Por të ndodhë që ai të thotë “keni kujdes ju, kur merreni me ekzekutivin, na hyni neve, se neve ju gjuajmë mbrapsht. E keni mundësinë, edhe ne e kemi mundësinë”, pyetja ime është kjo: për gjykatën në këtë rast, apo për SPAK-un si një lojtar të cilit i flet kryeministri hapur dhe me ligj tani, a e konsiderojnë këtë? Le të supozojmë që janë të përgatitur profesionalisht dhe me dinjitet, siç i kanë rrogat dhe famën. Kur në një shoqëri demokratike kryeministri thotë se ti je i poshtër sepse merresh me veprimtarinë time dhe unë do të bëj një, dy, tre gjëra që të kontrolloj ty, a e marrin këtë me seriozitet? Konsiderohet nga pikëpamja juridike një kundërsulm jo i pavlerësueshëm i shefit të ekzekutivit?
Ai ngacmon; është detyrë e tij, sepse e njeh median dhe fjalorthin. Ka disa avantazhe në raport me ne të gjithë për arsye të pozicionit dhe funksionit që ushtron dhe ka ushtruar. Kemi të bëjmë me një njeri që nga ’98-a bën spektakël. Nuk është kaq i kollajshëm. Por krijimi i këtyre dy strukturave, qoftë në fushën e gjyqësorit, qoftë në fushën e hetimit, dhe monitoruesit ndaj tyre, a janë kaq të aftë dhe të ftohtë për të identifikuar se ku fillon dhe ku mbaron faji penal? Ata dënojnë ndonjëherë jo me ligj. Për fat të keq, në pjesën më të madhe, kur bëjnë hetime të karakterit procedural, e harrojnë procedurën dhe ecin mbi emrin. Përfytyro t’u japësh armën, t’u japësh edhe viktimën, t’u japësh edhe menunë, çfarë bëjnë ata. Këtë nuk ia dhanë këtij që quhet kryeministër. Atyre, pa u dhënë armët, dënojnë; pa u dorëzuar, dënojnë. Mendo tani të jesh i dorëzuar në një zyrë në katin e dytë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, çfarë të bëjnë ata, sepse kreativitetin e kanë për ta bërë.
Atëherë, Gjykata Kushtetuese. Unë dyshoj, për të qenë realist, se ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Rrëzimi nëpërmjet ndarjes barazim nuk tregoi dinjitet dhe personalitet të atyre. Ajo duhej rrëzuar me më shumë vota; nuk duhej pranuar dhe kaq, që kur ishte në mbledhjen e gjyqtarëve. Ata luajtën rolin që dy me një, shtatë me një e të tjera, për ta çuar në seancë gjyqësore. Pastaj u sollën sipas rastit; u bënë lule dielli. Në këto kushte, zotësia juridike e kësaj gjykate ka humbur. Qofsha i gabuar. Ajo duhet ribërë. Shumë gjykata duhen ribërë dhe reforma duhet reformuar. Këtë e kam bindje të karakterit juridik dhe formëson instinktin tim personal.
Ankimi në Gjykatën Kushtetuese do ta bënte ai që kërkon masën. Shiko çfarë nonsensi ka këtu. Konflikti për të cilin kryeministri shkoi në Gjykatën Kushtetuese, mosmarrëveshja, ishte midis GJKKO-së, pra vendimit të gjykatës, dhe Këshillit të Ministrave; përfaqësohej Prokuroria e Posaçme. Nga njëra anë themi që kufizimi i lirisë vjen për shkak të vendimit të gjykatës; nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese, në cilësinë e palës së interesuar, bën palë kryesore prokurorinë. Prokuroria ka detyrë të vijë të thotë “unë dua arrestin”; gjykata është ajo që të çon tek hekurat. Tani zhvillohet gjykimi në mungesë të palës. E kuptoni çfarë gjykate kushtetuese kemi dhe kush është fajtori? Sulmi që bëhet ndaj organeve të drejtësisë. Një miratim i ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale nuk mendoj se do të kalojë kaq kollaj, por edhe mund të kalojë, sepse këta kanë vendosur të mos hyjnë në BE.
Ne duruam, ose njerëzit durojnë, 10 vjet gjyqe; 15-20; ndërrojnë jetë. E lënë testament atë që mendojnë ta marrin pas 20 vjetësh nga brezat e ardhshëm. Nuk po durojmë dot një njeri dhe një Gjykatë Kushtetuese.
© SYRI.net