Më 24 mars, Protokolli Itali-Shqipëri mbi emigracionin rikthehet në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së

Më 24 mars, Protokolli Itali-Shqipëri mbi emigracionin rikthehet në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së

16:49, 17/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Më 24 mars, Protokolli Itali–Shqipëri do të rikthehet për shqyrtim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED). Dje u caktua data e seancës për një nga dy kërkesat paraprake që mbeten ende pezull, konkretisht ajo e paraqitur nga Gjykata e Lartë e Italisë.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë ngriti një sërë dyshimesh lidhur me fazën e dytë të funksionimit të qendrave në Shëngjin dhe Gjadër, të destinuara për migrantët “e parregullt” të transferuar nga Qendrat e Qëndrimit për Riatdhesim (CPR) në Itali. Kjo fazë pasoi dështimin e përpjekjes për të transferuar përtej Adriatikut azilkërkuesit nga “vende të sigurta”, me qëllim zhvillimin e procedurave të përshpejtuara kufitare për azilin persona të shpëtuar në det të hapur dhe që nuk kishin hyrë kurrë zyrtarisht në territorin italian.

Në kërkesën paraprake, Gjykata e Lartë italiane ka shprehur rezerva mbi ndryshimet e bëra në ligjin që zbaton marrëveshjen, duke vënë në pikëpyetje barazimin e qendrave shqiptare me qendrat e ndalimit në territorin italian. Në veçanti, ajo i ka drejtuar Gjykatës së BE-së dy pyetje; A bie ndesh me Direktivën për Riatdhesimin transferimi i migrantëve “të parregullt” në një vend të tretë? A përbën shkelje të Direktivës për Kushtet e Pritjes qëndrimi i azilkërkuesve në Gjadër?

Çështja lidhet me rastin e një shtetasi tunizian dhe një algjeriani, të transferuar në Shqipëri nga CPR-ja e Barit më 11 prill 2025. Të dy përfaqësohen nga avokatja Cristina Durigon. Gjatë procedurës, Gjykata e BE-së refuzoi kërkesën për procedurë urgjente, duke zgjedhur rrugën e zakonshme, e cila kërkon më shumë kohë për shqyrtim.

Ndërkohë, procedura e përshpejtuar është pranuar për kërkesën tjetër paraprake, të paraqitur nga Gjykata e Apelit e Romës në nëntor. Në këtë rast vihet në diskutim vetë ligjshmëria e nënshkrimit të protokollit, si dhe në përgjithësi e marrëveshjeve ndërkombëtare midis një shteti anëtar dhe një vendi të tretë në cështje si azili që rregullohen gjerësisht nga e drejta e Bashkimit Evropian dhe janë kompetencë e tij. Data e seancës për këtë çështje pritet të shpallet së shpejti.

Vendimet e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së do të jenë thelbësore për të ardhmen e afërt të politikave migratore dhe për garantimin e të drejtave themelore të shtetasve të huaj, jo vetëm në lidhje me qendrat në Shqipëri, por edhe për zbatimin e Paktit të ri të BE-së për Migracionin dhe Azilin, i cili hyn në fuqi në qershorin e ardhshëm dhe parashikon mundësinë e transferimeve jashtë territorit të Bashkimit Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco