'Liria ka emër, drejtësi jo politikë'/ Mijëra qytetarë në Prishtinë për UÇK-në, mesazh Hagës në ditën e pavarësisë

14:27, 17/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare kanë mbushur sheshet e Prishtinës në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në një marshim madhështor në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Siç raportoi për SYRI, gazetarja Albionë Zhitia, nën moton “Liria ka emër, drejtësi jo politikë”, protesta shërbeu si një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe një mesazh kundër politizimit të procesit gjyqësor, ndërkohë që u vu re edhe mungesa e liderëve kryesorë shtetërorë.

Në një moment kritik, kur ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe deputeti Rexhep Selimi, ndodhen në fazën përfundimtare të gjykimit pranë Dhomave të Specializuara, qytetarët u mblodhën për të mbrojtur, siç u shprehën, “luftën e pastër të UÇK-së”.

Marshimi u cilësua si një pikë kthese, duke dërguar një mesazh të qartë solidariteti drejt Hagës, pak javë para shpalljes së aktvendimit. Pjesëmarrja në protestë ishte e gjerë, duke përfshirë figura publike, anëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë të të gjitha moshave, jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Kjo bëri që ngjarja të merrte përmasa të një manifestimi mbarëkombëtar, veçanërisht në mungesë të organizimeve zyrtare shtetërore për ditën e shënuar. Megjithatë, protesta u karakterizua edhe nga mungesa e figurave kryesore politike të Kosovës.

Sipas Zhitisë, presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, pavarësisht thirrjeve të mëparshme për pjesëmarrje, nuk u panë në mesin e turmës. Po ashtu, mungoi edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili pas një vizite një ditë më parë në Prishtinë, njoftoi se nuk do të ishte pjesë e marshit.

Ndër politikanët e pranishëm u dallua ish-kryeministri Ramush Haradinaj, së bashku me deputetë të partisë së tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Organizatorët kishin parashikuar që fjalimet të mbaheshin vetëm nga përfaqësues të nismës “Liria ka emër”, duke shmangur foltoren për politikanët. 

Raportimi i gazetares:

Përshëndetje për juve. Ndodhemi saktësisht në sheshin Skënderbeu, në pikën kryesore ku ka filluar grumbullimi i mijëra qytetarëve për t'iu bashkuar protestës së thirrur Liria ka emër, drejtësi jo politikë. Kjo protestë, e cila po synon që të bëjë thirrje për krerët e ish-UÇK-së, të cilët kanë qenë edhe ish-lider të shtetit të Kosovës.

Pikërisht në ditën e pavarësisë, në 18 vjetorin, kjo protestë po shënon një pikë kthese për shtetësinë e Kosovës, duke pasur parasysh se tashmë ish-krerët e UÇK-së po ndodhen në fjalën e fundit të procesit gjyqësor në Hagë, e ku pritet pas pak javësh të shpallet edhe aktvendimi i Gjykatës Speciale të Hagës. Aty janë duke u përballafaquar ish-presidenti i vendit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendari i Kosovës Jakup Krasniqi, deputeti Rexhep Selimi, por edhe Kadri Veseli, ish-kryekuvendari i Kosovës dhe njëherit ish-drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës. Katër figura emblematike të shtetësisë të Kosovës, por edhe të UÇK-së, janë duke u përballafaquar me drejtësinë atje. Mirëpo, në anën tjetër, qytetarë të shumtë kanë vërshuar sheshet e Prishtinës gjatë ditës së sotme pikërisht për t'iu bashkuar kësaj proteste. Në prapavijë mund të shihni me qindra qytetarë, të cilët kanë ardhur nga e gjithë Kosova për t'iu bashkuar kësaj proteste dhe realisht për të dërguar mesazhin në Hagë dhe kudo tjetër në botë që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk ka të bëjë absolutisht me akuzat në të cilat është parashkruar aktakuza nga kryeprokuroja e dhomave të specializuara.

Në fakt, në këtë protestë është parashikuar që fjalime të mbajnë vetëm organizatorët, që janë të organizatës 'Liria ka emër', por nuk do të flasin politikanë as deputetë. Pavarësisht që ne kemi arritur të shohim që në vijën e parë të kësaj proteste afër binës është edhe ish-lideri i AAK-së tashmë, Ramush Haradinaj, grupi i deputetëve nga kjo parti, por edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës. Nuk ka lider, ende nuk e kemi parë presidenten Vjosa Osmani, e cila paraprakisht në paradën e sigurisë bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t'i bashkohen kësaj proteste. Një ashtu thirrje bëri edhe kryeministri Albin Kurti, i cili po ashtu nuk shihet ende në këtë marsh.

Nuk ka thënë nëse do të jetë pjesë e këtij marshi apo jo. Siç e thatë edhe ju, Edi Rama gjatë ditës së djeshme, i cili ka qëndruar në Prishtinë, faktikisht ka dhënë mesazhe të forta karshi kësaj proteste, por në fakt, gjatë ditës së sotme në orët e para të mëngjesit ka njoftuar që nuk do të jetë pjesë e këtij marshi. Pra me një fjalë, Edi Rama vazhdon avazin e tij të flasë në emër të UÇK-së dhe shtetësisë së Kosovës, por në realitet veprat e tij e dëshmojnë të kundërtën.

Sa i përket pjesëmarrësve të tjerë, vlen të theksohet se ka figura dhe publicistë të shumtë të cilët i janë bashkuar kësaj proteste. Ka persona nga shoqëria civile të cilët zëshëm kanë bërë thirrje që t'i bashkohen kësaj proteste dhe e mira e kësaj është që pavarësisht çdo moshe si duket, të gjithë së bashku në këtë ditë kanë vendosur që t'i bashkohen kësaj proteste. Për dallim nga protestat e kaluara të thirrura nga kjo organizatë ose nga organizatat e dala nga lufta, si duket në ditën e pavarësisë, numri është shumë më i madh sesa herave të kaluara.

Në fakt, gjatë rrugës kam arritur të bisedoj me disa qytetarë të cilët vinin pikërisht nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia e Veriut dhe që kishin ardhur posaçërisht për këtë protestë dhe për asnjë tjetër, për shkak sepse gjatë ditës së sotme nuk ka ndonjë festë të organizuar, qoftë nga qeveria apo Bashkia e Prishtinës për të kremtuar përvjetorin e pavarësisë. Përjashtim kjo protestë ka bërë që të gjithë shqiptarët kudo anë e mbanë trojeve shqiptare t'i bashkohen këtij marshi e që si duket i janë përgjigjur pozitivisht. Vlen të theksohet se në tribunë parashihet të bashkohet edhe Rifat Jashari.

Mbetet të shihet nëse do i bashkohet dhe do dalë të marrë rastin e fjalës, mirëpo nga organizatorët është paraparë që Rifat Jashari të ngjitet në skenë dhe të përshëndesë masën. Ne ende nuk e kemi parë nëse i është bashkuar protestës apo jo, por po shpresojmë që do të kemi mundësi ta sjellim edhe në pamje për të gjithë shikuesit tanë në Tiranë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco