Deputeti Saimir Korreshi ka rrëzuar propagandën e Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), e cila më herët i cilësoi si të pavërteta denoncimet e tij për gjendjen e Spitalit të Lushnjës.
Në një videolive të realizuar brenda ambienteve të Spitalit Lushnjë dhe të publikuar në Facebook, Korreshi ka filmuar nga afër kushtet në disa prej reparteve kryesore, duke paraqitur një realitet që bie ndesh me qëndrimin zyrtar të MIA-s.
Pamjet e publikuara tregojnë gjendje skandaloze në repartin e imazherisë, situatë tronditëse në morg, ku shihen mbetje biologjike, infrastrukturë e shkatërruar dhe rrugë të mbushura me ujë brenda ambienteve spitalore, probleme serioze në maternitet, urgjencë, pediatri dhe kirurgji.
Sipas deputetit, “çfarë bie jashtë, futet brenda”, duke nënvizuar mungesën e standardeve minimale higjieno-sanitare dhe degradimin e përgjithshëm të godinës.
Ndërkohë, MIA kishte deklaruar më parë se pretendimet e deputetit Korreshi ishin të rreme dhe se spitali nuk paraqiste problematikat e ngritura publikisht.
Videot e publikuara nga Korreshi vërtetojnë të kundërtën, duke hedhur poshtë propagandën e qeverisë mbi gjendjen reale të sistemit shëndetësor në nivel lokal.
© SYRI.net