Ndryshimet në Kodin e Pr. Penale/ Myftari: Alibi e rëndomtë e PS-së, mburojë ligjore për zyrtarët e lartë

18:05, 16/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale, që mazhoranca kërkon të ndërmarrë, duke i justifikuar si një domosdoshmëri, ekspertët e fushës po i cilësojnë si një “alibi e rëndomtë”,  që kanë për qëllim krijimin e një mburojë ligjore për zyrtarët e lartë.

I ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, juristi Kreshnik Myftari, tha se pretendimi se vendimi 4 me 4 i Gjykatës Kushtetuese krijoi një boshllëk ligjor, u përdor si pretekst për të avancuar ndryshime ligjore me një qëllim të fshehur.

Ndryshimi i nenit 242, sipas Myftarit, po ndërton një lloj justifikimi artificial për të argumentuar se titullarët e institucioneve të larta, si Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit, nuk mund të kryejnë vepra penale që lidhen me detyrën, siç është shpërdorimi i saj.

Përfshirja e funksioneve të larta në këto ndryshime, shihet si një “garniturë” për të fshehur objektivin e vërtetë të nismës. Kjo manovër ligjore po ndodh në një heshtje thuajse të plotë, ndërsa Myftari shton se beteja kundër këtyre ndryshimeve nuk duhet të jetë vetëm e medias apo juristëve, por mbi të gjitha e përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend, të cilët paguhen për të mbrojtur interesin publik.

Është alibi e rëndomtë. Vërtetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ndarë katër me katër, por në kuptim të krijimit të jurisprudencës, është rrëzuar. Për shkak, për ato çfarë vendimi ka interpretuar, në përmbajtje, ka thënë që ndaj ministrit mund të aplikohet masa e pezullimit dhe nuk ka asnjë shkelje as procedurale, as kushtetuese në aplikimin e kësaj mase. Pastaj kjo u përdor si alibi për të sjellë këto ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, por realisht vendimi është i qartë për këtë pjesë e e përmend të shkruar taksative.

Përtej funksioneve të zgjedhur, çdokush ose ndaj çdokujt mund të aplikohet masa e pezullimit nga detyra. Ajo çfarë po ndërton, mendoj unë, nëpërmjet, nëpërmjet ndryshimit të nenit 242 është një lloj justifikimi që këta subjekte nuk mund të kryejnë as vepra penale. Jo më vetëm për ndalimin e aplikimit të masave të sigurimit. Sepse po ta kuptosh, institucioni i presidentit, i cili është përmendur i pari në, në këto ndryshime ligjore. Presidenti i Republikës, në bazë të nenit 92 të Kushtetutës, ka vetëm kompetenca kushtetuese. Ndërkohë në nenin 102 po të Kushtetutës thuhet që kryeministri, përveç funksioneve, kryen dhe detyra me ligj, që janë të parashikuara me ligj.

Tani çfarë ndodh, që Presidenti i Republikës nëpërmjet kompetencave kushtetuese nuk mund të prodhojë vepra penale. Vetëm detyrat ligjore mund të prodhojnë vepra penale. Në rastin më tipik, shpërdorimi i detyrës, është më i zakonshmi. Pra e gjitha kjo është ndërtuar në një mënyrë që të jetë e besueshme për publikun. Do na lënë pa president, do na lënë pa kryetar kuvendi. Janë funksione që nuk kanë vetëm kompetenca kushtetuese.

Nuk kanë detyra ligjore, nuk kryejnë dot vepra penale ato. Një funksion kushtetues nuk prodhon dot një vepër penale. Detyra e denoncimit të këtyre rasteve nuk është as e juristëve, as e gazetarëve, është e deputetëve. Ka persona që paguhen në kuvend për t'i kundërshtuar këto nisma. Ka instanca ku kundërshtohen këto, këto iniciativa, nuk është vetëm media.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco