Neza: Rama po ndërton barrierë mbrojtëse ndaj SPAK-ut, po ndryshon…

17:58, 16/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Sami Neza, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon, foli mbi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca socialiste në Kodin e Procedurës Penale, ku u shpreh se këto ndryshime përbëjnë një përpjekje të qartë të kryeministrit Edi Rama për të ndërtuar një barrierë mbrojtëse për veten përballë hetimeve të mundshme nga SPAK.

Ai theksoi se vendimi i grupit parlamentar socialist, i cili përjashton nga ndikimi procesin ndaj ish-ministres Belinda Balluku, synon në fakt të konsolidojë mburojën ligjore për kryeministrin, ndërsa argumentet e përdorura nga Rama për të justifikuar ndryshimet në ligj, përfshirë “ngurtësimin” e lidhjes së emrit të ministrit me pozicionin që mban dhe interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë të paqëndrueshme dhe të paargumentuara.

Neza shtoi se vonesa e pajustifikuar e publikimit të vendimit të Gjykatës në Fletoren Zyrtare perceptohet si një manovër për të krijuar hapësirë kohore ku maxhoranca mund të imponojë ndryshime ligjore të paligjshme, duke rritur dyshimet se lëvizjet e fundit legjislative janë kryesisht një mbrojtje politike për kreun e qeverisë dhe jo një përpjekje për rregullimin e legjislacionit.

Pjesë nga deklarata:

Për të mbrojtur veten, praktikisht e gjithë mendimarrja që është prodhuar ose që pritet të prodhohet nga vendimi që mori sot grupi parlamentar i Partisë Socialiste përjashton ndikimin tek procesi që po ndiqet ndaj zonjës Belinda Balluku dhe ngelet që ai është duke ndërtuar barriera ndaj SPAK-ut dhe ndaj Gjykatës së Posaçme për veten e tij.

Po. Basiri e ka thënë dje në një analizë që duhet të dyshojmë plotësisht, sepse Rama mund të jetë në ndjekje penale, pavarësisht se kjo nuk është bërë publike. Dhe unë mendoj se të gjitha këto, përveç kësaj, domethënë edhe argumentet që po përdor Rama për të qëndruar, për të bërë të qëndrueshme ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale tek neni 142, që lidhet me imunitetin dhe ndjekjen penale, janë dy argumente të cilat nuk qëndrojnë.

Kush janë dy argumentat? Argumenti i parë i tij, siç e diskutuam pak më herët, është se nuk është e nevojshme të trajtojmë përsëri argumentin se ngelet vakum në funksionimin e institucioneve. Argumenti i dytë qëndron tek lidhja që ai ka parë, ose ngurtësimi që ka vënë re midis emrit të personit dhe pozicionit që mban një individ. Domethënë, ministri ngurtësohet me emrin e ministrisë, gjë që praktikisht është krejt e palogjikshme, por edhe teorikisht e paargumentueshme. Ndërkohë, historia ka treguar se këto nuk janë fare të lidhura; përkundrazi, janë tërësisht të ndara.

Ne kemi pasur ministra që nuk ekzistojnë më sot, bile edhe brenda një mandati të qeverisë kanë ndryshuar ministritë, që do të thotë se nuk janë të ngurtësuara as emrat e ministrave, as emrat e ministrive. Si rrjedhim, teza e tij se pozicioni i ministrit është i lidhur me emrin e ministrisë është tërësisht e paqëndrueshme. Përndryshe, sipas kësaj logjike, do të kishim sot Mehmet Shehun Balluku ministër të Mbrojtjes, edhe pse është pushkatuar para 50 vitesh.

Një tjetër çështje që nuk qëndron në logjikë është referimi i tij tek e ashtuquajtura mosvendimmarrje e Gjykatës Kushtetuese. Avokatët e sqaruan më herët se nuk ka pasur mungesë vendimmarrjeje; ajo ka munguar vetëm për përfundimin e trajtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Pezullimi funksionon dhe ngelet në fuqi, dhe kjo duhet të pasqyrohet në kushtetutë.

Propozimi që kanë bërë sot Rama, Balla dhe Manja është në thelb i paligjshëm dhe antikushtetues. Praktikisht, ata kanë propozuar një amendim që shkon përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi procesi i pezullimit të ministres do të vijojë dhe është ende në fuqi. Problemi është se vendimi nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare, dhe po vonohet publikimi i tij. Ndërkohë, vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese kur pranoi të shqyrtojë kërkesën e kryeministrit u publikua menjëherë. Arsyeja pse vendimi i tanishëm nuk publikohet lidhet me paligjshmërinë e propozimit të sotëm; ata nuk janë injorantë të ligjit dhe e dinë saktësisht se ku po shkelin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco