Rasti i Ukrainës dhe ai i Shqipërisë po shndërrohen në një pasqyrë të qartë të dy standardeve krejt të ndryshme politike përballë akuzave për korrupsion në nivelet më të larta.
Në Ukrainë, ish-ministri i energjisë, homologu i Belinda Ballukut, Herman Halushchenko, u ndalua nga NABU si pjesë e një hetimi për pastrim parash dhe organizatë kriminale në lidhje me Energoatom. Akuzat ndaj ministrit ukrainas shkojnë për dëm të shkaktuar shtetit deri në 100-milionë dollarë.
Pavarësisht pozicionit të lartë dhe kontekstit të jashtëzakonshëm të luftës, institucionet vepruan pa ekuivok: kontroll pasuror, ndalim në kufi, zgjerim hetimesh ndërkombëtare.
Mesazhi ishte i prerë: askush nuk është mbi ligjin.
Në Shqipëri, ndërkohë, Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë në aksin Orikum–Himarë, me fond limit rreth 19 miliardë lekë pa TVSH. Akuza lidhet me vendime të marra në cilësinë e saj si ministre, për një nga projektet më të mëdha infrastrukturorë në vend.
Pra kemi një zyrtare të nivelit më të lartë ekzekutiv, e akuzuar për ndërhyrje në një tender publik me vlerë shumë të lartë, pra korrupsion. Në çdo standard minimal të qeverisjes demokratike, kjo do të mjaftonte për shkarkim të menjëhershëm politik, të paktën deri në sqarimin e plotë të çështjes.
Por ajo që e bën situatën edhe më problematike është reagimi politik i kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar publikisht se “nuk ka prokuror e gjykatës që vë në dyshim vendimet sovrane të qeverisë”, duke u shprehur se pezullimi i ministres cenon kompetencat e tij. Një qëndrim i tillë, në thelb, vendos përballë konceptin e sovranitetit të qeverisë me kontrollin gjyqësor të ligjshmërisë.
Këtu qëndron thelbi i kontrastit:
Kur një kryeministër vë në dyshim legjitimitetin e masave të gjykatës ndaj një ministri të tij, krijohet perceptimi i presionit ndaj drejtësisë dhe i mbrojtjes politike përtej standardeve të zakonshme demokratike. Ndarja e pushteteve nuk nënkupton që vendimet e qeverisë janë të paprekshme; përkundrazi, ato janë të kontrollueshme pikërisht për të shmangur abuzimin.
Në vendet me kulturë të konsoliduar institucionale, mjafton hija e dyshimit për të imponuar tërheqjen nga detyra. Këtu kemi jo thjesht dyshim, por akuzë formale dhe marrje si e pandehur për një vepër që prek drejtpërdrejt barazinë në tendera publikë.
Krahasimi i pashmangshëm: në një vend në luftë, ish-ministri ndalohet në kufi; në një vend aspirant për BE, ministrja mbrohet politikisht dhe pezullimi nga gjykata konsiderohet problem institucional.
Kjo çështje nuk është vetëm juridike. Është çështje standardi. Nëse pretendimi është se Shqipëria operon me standarde evropiane, atëherë përgjegjësia politike duhet të jetë po aq e menjëhershme sa edhe ajo penale. Përndryshe, mesazhi që dërgohet është se pushteti ekzekutiv e konsideron veten të paprekshëm, dhe kjo është pikërisht ajo që çdo “reformë në drejtësi” synon të shmangë./ E.S
/Ky është artikull ekskluziv i Syri Tv dhe Syri.net, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Syri Tv ose Syri.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
© SYRI.net