'Bashkia e Shkodrës, drejtori e Becit'/ Kreu i FRPD: Tenderi Shirokë-Zogaj u rrit 2 milionë euro, por rruga ende pa u bërë

10:11, 16/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bashkia e Shkodrës dhe kryetari i saj, Benet Beci, janë vënë në qendër të akuzave për keqmenaxhim të fondeve publike dhe inflacion të dyshimtë të tenderëve.  Një nga pikat më të nxehta të denoncimeve lidhet me tenderin për rrugën Shirokë-Zogaj.

Sipas të dhënave të bëra publike, projekti ishte tenderuar fillimisht me një fond prej 2.7 milionë euro para ardhjes së Becit në detyrë. Pas marrjes së mandatit, tenderi u anulua dhe u rihap me një vlerë të re prej 4.7 milionë euro, një rritje prej 2 milionë eurosh.

I ftuar ditën e stome në 'Kafe Shqeto', Fatjon Mani, kryetar i FRPD Shkodër tha se pavarësisht rritjes së ndjeshme të fondit, punimet në këtë aks rrugor ende nuk kanë përfunduar, duke shtuar pikëpyetjet mbi menaxhimin e projektit.

Situata në qytet, sipas Manit duket tejet problematike, me “gropa kudo” dhe investime të shumta që zvarriten pa afat.

Një shembull është ai i kolektorit në qendër të qytetit, i cili për 12 muaj ka mbetur një kantier i hapur, duke shkaktuar kaos dhe duke u kthyer në një problem sa herë që ka reshje shiu.

Fondi për këtë aktivitet ka pësuar një rritje eksponenciale, duke kaluar nga 5 milionë lekë në 30 milionë, e më pas në 80 milionë lekë gjatë dy viteve të fundit.

Kjo situatë e rënduar, e kombinuar me faktin që kryebashkiaku Benet Beci është person nën hetim, ka çuar në një klimë pasigurie dhe ka ndikuar në një fenomen shqetësues: shpopullimin.

Sipas të dhënave të censusit, vetëm në dy vitet e fundit nga Shkodra janë larguar rreth 5,000 banorë.

Deklarata e plotë:

"Unë e kam nisur opozitën ndaj Becit që ditën që ai ka shkelur në Bashkinë e Shkodrës.

Jo pse e kam kundërshtar politik, por tre ishin arsyet, se nuk kam besuar tek ai person.

E para arsye është më përpara, pjesa kur ai ka qenë drejtor i Fondit të Zhvillimit. Zero investime për Shkodrën.

Dhe mandati dyvjeçar i tij si deputet, para se të bëhej kryetar bashkie, zero fjalë në parlament, zero halle, zero shqetësime për Shkodrën, nuk e ka çuar zërin njëherë.

Ndërsa e treta, që është më kryesorja, forma se si u zgjodh për me marrë Bashkinë e Shkodrës. I kemi parë, janë me video, të faktuara me lekun e hedhun për blerjen e votës.

Përveç atyre që janë të shitur tek ai, pjesa tjetër janë kundër Benetit, se ditën e parë që ka ardhur tenderi i parë ishte rruga Shirokë-Zogaj.

Ishte një investim në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër e kryer në 2023-shin, e tenderuar me një fond 2.7 milionë. Dhe pas ardhjes së tij në bashki, tenderi anullohet.

Lekët e zgjedhjeve duhet me i nxjerrë se diku aty do të dalin. 

Rruga akoma nuk është bërë, nuk janë bërë as shpronësimet, domethënë është një katrahurë. Në qytet situata është katastrofë. Asnjë investim prej Bashkisë Shkodër.

Kjo që po them është fakt edhe qytetarët e Shkodrës e dinë mjaft mirë këtë pjesë. Gropa kudo, investime që zgjasin me muaj e me muaj edhe nuk i japin zgjidhje.

Atë pjesën e kolektorit, shkoi 12 muaj qendra e qytetit e hapur, hap-mbyll, hap-mbyll edhe prapë ra shi, u përmbyt, mos më keq se herët e tjera

Sot një vit jena në zgjedhje lokale dhe në qoftë se nuk e ndëshkon drejtësia, që e ka për detyrë për me e ndëshku, qytetarët e Shkodrës e kanë detyrim ta ndëshkojnë me votat e tyre pas një viti.

Viti 2023, kryetar bashkie zoti Bardh Spahia dhe fondi ishte 5 milionë lekë për të zhvilluar aktivitetin e karnavaleve. Ndërsa një vit më pas, me ardhjen e Benet Becit, kjo shumë nga 5 milionë shkoi në 30 milionë. Dy vitet e fundit shkoi 80 milionë.

Është e njëjta sepse zhvillimi i aktivitetit të karnavaleve bëhet nëpërmjet nxënësve të shkollave dhe qendrave kulturore.

Marrim drejtorin e kulturës, është fyerje për qytetin e Shkodrës. Nuk kam asgjë personale me, është shumë i mirë si artist, pjesa e zotit Pandi Laço por kjo është fyerje për artistat e Shkodrës, që me ardhë drejtori nga Korça.

Nuk më pëlqen sepse edhe ai që zhvilloi karnavalet me këtë shumën 80 milionë, është shoqata Antik nga Fieri. Që prapë s'u gjet asnjë shkodran me zhvilluar aktivitetin.

Fatkeqësisht Bashkia e Shkodrës është kthyer në një drejtori të Benet Becit. Nuk është më Bashkia e Shkodrës, është një drejtori me të ardhur nga Saranda, nga Korça, etj. Ne kena shkodranë tanë shumë profesionista, intelektualë, që munden me kry shumë mirë ato poste".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco