15 parti politike, përfshirë PD-në, forcën më të madhe opozitare, dhe përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan një tryezë të përbashkët, nga ku u dakordësuan për një qëndrim të unifikuar të frontit opozitar. Në fund të takimit u prezantuan 5 pikat kryesore të marrëveshjes, që përfshijnë kërkesën për qeveri teknike dhe thirrjen për pjesëmarrje masive në protestën e 20 shkurtit. Sa i takon protestave, nënkryetari i PD, Luciano Boci, tha se ato duhet të jenë shumë më të forta dhe të qëndrueshme.
Rreth 15 parti politike dhe shoqëria civile u mblodhën këtë të enjte në një tryezë të përbashkët, të thirrur nga Forumi për Dialog, ku u dakordësua për një platformë të përbashkët veprimi. Politologu Ermal Hasimja, në një prononcim për mediat, prezantoi 5 pikat kryesore të frontit të përbashkët opozitar, nga qëndrimi kundër ndryshimeve në legjislacion deri tek qeveria teknike dhe protestat kombëtare.
Nënkryetari i PD, Luciano Boci, i pranishëm në këtë takim, tha se unifikimi i opozitës është domosdoshmëri. Ai theksoi se në tryezë pati diskutime dhe propozime edhe për reformën territoriale dhe zgjedhore, teksa vëmendjen e ndali tek protesta e 20 shkurtit dhe aksioni opozitar, që sipas tij duhet të jetë shumë më i fortë dhe i qëndrueshëm.
Kjo ishte tryeza e parë me partitë politike dhe lëvizjen qytetare, teksa në vijim do të ketë takime të tjera, ku do të diskutohet lidhur me qëndrimet e përbashkëta, si për Kodin Zgjedhor ashtu edhe për çështje të rëndësishme ligjore dhe politike.
© SYRI.net