Pas 22 ditësh tubime dhe propozime nga qytetarët, grupi koordinues i protestës ka dalë me një deklaratë zyrtare drejtuar qeverisë dhe mbarë opinionit publik.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, aktivisti Dritan Goxhaj lexoi pesë kërkesat thelbësore, që protestuesit i cilësojnë si legjitime dhe të panegociueshme, duke paralajmëruar vijimin e rezistencës paqësore deri në plotësimin e tyre.
Pika e parë dhe më e forta e ultimatumit qytetar është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit aktual. Për të menaxhuar krizën dhe tranzicionin, kërkohet formimi i një qeverie teknike, jo partiake, me një mandat të kufizuar prej 12 muajsh. Protestuesit gjithashtu kanë kërkuar ndërhyrje të thella në sistemin ligjor dhe atë zgjedhor.
Mes kërkesave renditen ndryshimet kushtetuese të miratuara me referendum popullor, reformimi i kodit zgjedhor dhe ligjit për financimin e partive politike, si dhe një propozim drastik për klasën politike: kufizimi i postit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës së një individi.
Krahas kërkesave të reja politike, sheshi nuk ka hequr dorë nga kauzat mjedisore dhe kulturore. Është kërkuar anulimi urgjent i ligjeve të debatuara për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, si dhe shfuqizimi i statusit të investimeve strategjike dhe të ashtuquajturës 'paketa e maleve'.
Në fund, qytetarët propozojnë hartimin e një kontrate të re sociale mes shtetit dhe popullit. Kërkesat e grupit koordinues të protestës u lexuan nga Dritan Goxhaj.
Grupi Koordinues i Protestës
Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit, si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, kërkojmë:
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre.
© SYRI.net