Gjermania si SHBA: Luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, reforma në shtetin e së drejtës

Gjermania si SHBA: Luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, reforma në shtetin e së drejtës

22:19, 23/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjermania i ka përcjellë sot Tiranës një mesazh të qartë për vijimin e reformave, me theks të veçantë te shteti i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjatë vizitës në Shqipëri, ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale,  Gunther Krichbaum, theksoi se këto fusha mbeten vendimtare për rrugëtimin europian të vendit.

‘Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, si dhe me luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, deklaroi Krichbaum, duke vendosur menjëherë theksin te sfidat kryesore.

Mesazhi i Berlinit rreshtohet pothuajse në një linjë me qëndrimet e fundit të Shteteve të Bashkuara. Në muajt e fundit, përfaqësues të administratës amerikane, përfshirë të Ngarkuarën me Punë në Tiranë, Nancy VanHorn, si dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio në mesazhin e urimit për Pavarësinë e Shqipërisë, kanë nënvizuar rëndësinë e luftës ndaj karteleve ndërkombëtare të drogës dhe rolin e organeve ligjzbatuese, përfshirë SPAK-un. Mesazhe të ngjashme janë përcjellë edhe nga Presidenti Donald Trump.

Ndonëse SHBA dhe Gjermania bashkohen në thelbin e mesazhit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qasja në vizitat zyrtare në Tiranë ka qenë e ndryshme.

Ndryshe nga disa zyrtarë të lartë amerikanë, si zv.ndihmës sekretari i Shtetit Mark Fleming, i cili në takimet e tij shmangu kryeministrin Edi Rama, ministri i Jashtëm gjerman zhvilloi një axhendë më gjithëpërfshirëse.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Krichbaum zhvilloi takime me përfaqësues të spektrit politik, përfshirë drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun, si dhe u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.

Përveç kritikave dhe kërkesave për reforma, mesazhi i ministrit gjerman përfshiu edhe gjuhën standarde diplomatike, me vlerësime për Shqipërinë dhe mbështetje për rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Njoftimi i Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë:

Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë. Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho.

Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:

‘Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.

Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe  luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave,  si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco