Deputeti i Partisë Demokratike, Gjini Gjoni, ka pare nga afër situatën alarmante të krijuar nga erozioni detar në zonën e Kunës në Shëngjin, i cili ka marrë përmasa të frikshme.
Sipas deputetit Gjoni, përveç shkatërrimit të pasurisë natyrore, ku deti ka asgjësuar sipërfaqe të mëdha toke dhe pisha qindra vjeçare, tashmë rrezikohet seriozisht edhe infrastruktura. Shetitorja, një nga atraksionet më të frekuentuara të zonës, është dëmtuar në një gjatësi të konsiderueshme, ndërsa kërcënimi është gjithnjë e më i madh edhe për zonën e banuar dhe bizneset e shumta që shtrihen përgjatë vijës bregdetare.
“Alarmi për këtë situatë është dhënë prej vitesh, por fatkeqësisht institucionet përgjegjëse kanë heshtur dhe nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për të mbrojtur zonën nga përparimi i detit”, u shpreh Gjoni.
Si përfaqësues i qytetarëve të Lezhës në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i PD kërkon hartimin dhe zbatimin e projekteve urgjente për mbrojtjen e Kunës, e cila konsiderohet një nga atraksionet kryesore turistike të vendit.
“Koha nuk pret. Çdo ditë vonesë mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin dhe ekonominë lokale”, përfundoi deputeti Gjini Gjoni.
© SYRI.net