Ka mbërritur në Këshillin e Lartë Gjyqësor, shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme për Irena Gjokën, e cila është e dënuar në Greqi.
Siç bëhet e ditur, kjo shkresë do të shqyrtohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ-së që më pas ti përcillet mbledhjes së anëtarëve të këtij institucioni.
Sipas Prokurorisë vendimi i gjykatës greke për Gjokën është autentik.
Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se ka përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, GJKKO, Irena Gjoka, por rezultatin e verifikimit e mbajti të fshehtë. Verifikimi nisi pas akuzave se Gjoka ishte dënuar në Greqi.
Prokuroria bëri me dije se sektori i Dekriminalizimit ia ka dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj, i cili duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.
‘Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit’, thuhej në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme.
© SYRI.net