Analiza e fundit e zhvillimeve gjeopolitike pas fjalimit të Presidentit Trump në forumin ekonomik ndërkombëtar në Davo të Zvicrës, zbulon një panoramë të zymtë për të ardhmen e Europës, nëse kontinenti i vjetër nuk ndryshon kursin e tij politik dhe ekonomik.
Ndërsa vëmendja mediatike është përqendruar te "zhurma" dhe reagimet emocionale të liderëve europianë, thelbi i mesazhit nga Uashingtoni mbetet i qartë: rendi botëror liberal nuk u vra nga Trump, por nga dobësia e vetë Perëndimit dhe ngritja e rivalëve globalë.
I ftuar në edicionin e lajmeve të pasdites në Syri Tv, këshilltarri ligjor i Grupit Parlamentar të PD, Nikola Kedhi shprehet se, administrata Trump ka strukturuar politikën e saj të sigurisë kombëtare në tre shtylla kryesore: mbrojtjen e Hemisferës Perëndimore nga influencat ruse e kineze, frenimin e avancimit të Kinës në Azi dhe ruajtjen e balancës së pushtetit në Perëndim përmes një Europe të fortë.
Qëndrimi amerikan nënvizon se Europa po vuan nga "plagë të vetëshkaktuara", duke filluar nga politikat energjetike e deri tek kriza migratore e vitit 2015, kur hapja e kufijve pa pasur kapacitetet pritëse apo të sigurisë u konsiderua një dështim spektakolar.
Më tej, Kedhi argumentoi rënien e Europës, që sipas tij, prekin thelbin e ekzistencës së saj si fuqi globale. Të dhënat tregojnë një kontinent "në vdekje e sipër" nga ana demografike, ku vdekjet tejkalojnë lindjet, dhe një shkretëtirë inovacioni, ku asnjë kompani europiane nuk figuron në top 10-shen botërore të teknologjisë apo inteligjencës artificiale.
Në këtë kontekst, kërkesa e SHBA-së për braktisjen e politikave socialiste dhe rregullatorëve të tepërt shihet jo si teka të një presidenti, por si një nevojë ekzistenciale për mbijetesë përballë konkurrencës së pamëshirshme të Kinës.
Çështja e Groenlandës, e cila shpesh është trajtuar me skepticizëm, sipas Kedhit, konfirmohet si një lëvizje serioze gjeostrategjike. Interesi amerikan nuk lidhet vetëm me burimet minerale, por me sigurinë transatlantike përballë prezencës ruse në Arktik dhe pamundësisë së Danimarkës për të garantuar mbrojtjen e nevojshme të territorit. M
esazhi është i qartë: nëse Europa vazhdon të injorojë realitetin gjeopolitik dhe të fshihet pas retorikës së "rendit të vjetër", ajo rrezikon të bëhet e parëndësishme në tryezën ku vendoset fati i botës.
Mua më duket se ishte një fjalim i mirë. Ishte një fjalim solid, u mor me arritjet e një viti të parë në mandatin e dytë. Natyrisht u fokusua dhe te dobësia e Europës, që ngelet një shqetësim për Presidentin Trump dhe për administratën e tij, për sa i përket zhvillimeve gjeopolitike që janë duke ndodhur. Dhe natyrisht fokusi, po themi, që kishte më shumë interes, ishte çështja e Groenlandës. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar, europianët veçanërisht, apo shtetet që bëjnë pjesë në aleancën e Atlantikut të Veriut, janë më të lehtësuar sepse Presidenti Trump, ashtu siç në fakt ishte afër mendsh, po themi eliminoi opsionin e ndërhyrjes ushtarake në territorin e Groenlandës. Këto ishin po themi shtyllat kryesore ose fushat kryesore ku ai u përqendrua.
Për sa i përket pjesës së parë, tek arritjet e qeverisjes së tij, ishin arritjet ekonomike. Ai kaloi paketën fiskale në verën e kaluar, ulja e madhe e taksave e ndodhur ndonjëherë, heqja e taksave për bakshishin apo për kohën shtesë të punës, derreguillimi që është një nga prioritetet kryesore të administratës së tij, pra heqja e barrës së tepërt rregullatore mbi individët dhe mbi sipërmarrjet, gjë që i ka dhënë një shtysë, një bum shumë të madh ekonomisë amerikane. Ulja e emigracionit të jashtëligjshëm, kemi zero kapje prej shumë muajsh në kufirin jugor me Meksikën, ndryshe nga administrata Biden ku ishin disa qindra mijëra që kapeshin në kufirin e jugut dhe shumë të cilët liheshin më pas në territorin amerikan. Marrëveshjet e tij të paqes, pra bëri një panoramë të gjerë të gjithë politikave të tij dhe të arritjeve të tij në këtë një vjeçar.
Më pas, dhe për ta përmbyllur këtë parashtrim, fokusi ishte tek Europa sepse ne kemi diskutuar dhe herë tjetër, shtyllat kryesore të politikës amerikane nën administratën Trump, unë parapëlqej që t'i grumbulloj në tre kryesore, po të lexojmë dokumentin e sigurisë kombëtare që firmosi Presidenti Trump në dhjetor të vitit të kaluar. E para është hemisfera perëndimore, nuk lejon influenca ruse, kineze apo influenca kundërshtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hemisferën perëndimore. E dyta është fokusi në Azi, ndalimi i avancimeve të Kinës në detin e Kinës së Jugut, në Tajvan e tjerë me radhë. Dhe e treta është Europa. Presidenti Trump, administrata e tij, mendojnë që balanca e pushtetit duhet të qëndrojë në Perëndim, balanca e pushtetit gjeopolitik.
Kjo natyrisht nuk mund të bëhet vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse ato janë të vetmet që po përpiqen në këtë moment dhe kanë edhe aftësitë dhe kapacitetet. Por nevojitet dhe një rizgjim i Europës, një ndryshim i kësaj rruge socialiste që ka ndjekur Europa dekadat e fundit. Dhe e përmendi dhe Presidenti Trump atje, që ai vjen vetë nga Europa dhe e do shumë gjithë kontinentin europian, dhe do që ta shikojë të rimëkëmbur këtë kontinent. Përsa i përket pjesës ekonomike, pjesës të demografisë, të emigracionit, të kulturës e tjerë me radhë, duke e quajtur këtë një çështje qytetërimore dhe jo thjesht në disa aspekte ekonomike apo të problemeve të sigurisë. Dhe është përpjekur gjatë gjithë vitit të tij të parë në mandatin e dytë që t'i japë një shtysë Europës, ose t'i japë këto presionet pozitive që Europa të rizgjohet, të rimëkëmbët ekonomikisht, nga ana e mbrojtjes dhe nga gjithë elementët e tjerë që unë përmenda, dhe të shërbejë si shtylla e dytë, ose këmba e dytë e aleancës euroatlantike dhe sidomos të bëjë punën e saj përsa i përket Rusisë.
Patjetër që është serioz për Groenlandën, pikërisht për arsyet e sigurisë kombëtare dhe sigurisë transatlantike. Groenlanda është pjesë e një mbretërie të vogël që nuk i ka mundësitë për t'i dhënë mbrojtjen e duhur dhe garancitë e duhura të mbrojtjes, sidomos duke marrë parasysh fuqinë e Kinës apo qoftë edhe të Rusisë, që është një vend i Arktikut. Ndërkohë Presidenti Trump bëri një argument që mua mu duk shumë bindës, për sa i përket nevojës që Groenlanda të menaxhohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe jo vetëm për pjesën e mineraleve që janë shumë të rëndësishme, por edhe për pozicionin gjeografik që Groenlanda ka. Tani për sa i përket këtij rendit botëror. Unë mendoj se gjithë kjo është zhurmë, fjalimet e këtyre liderëve europianë, ai i Kanadasë, këto sjelljet fëminore që, ku di unë përmendët rastin e zonjës Lagarde, që ikin nga salla e ku di unë, dhe nuk janë sjellje aspak serioze duke marrë parasysh edhe situatën gjeopolitike që ndodhet sot bota. Dhe përtej kësaj, ne duhet të kalojmë përtej kësaj zhurmës që bëhet dhe këtyre sjelljeve, përtej aparencës. Kush është thelbi? Thelbi është ky: që nuk ishte Presidenti Trump që e rrëzoi rendin botëror të pas Luftës së Ftohtë, po themi, ose të atij të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe të ndryshuar disi pas Luftës së Ftohtë, pas rënies së Perdes së Hekurt.
Kishte kohë që ky rend botëror kishte mbaruar misionin e tij, mbaruar funksionin e tij dhe kjo ishte bërë për shkak të avancimit të Kinës, më së shumti, si pretendentja kryesore për t'u bërë superfuqia e këtij shekulli dhe natyrisht e fuqive të tjera si Rusia apo Irani, apo dhe një pakënaqësie në atë që quhet Jugu Global, të cilët kërkojnë gjithmonë e më tepër role vendimmarrëse dhe të jenë në tryezën e vendimmarrjes. Dhe në këtë aspekt, as OKB-ja nuk po e bënte më prej shumë kohësh rolin e vet, si institucioni që bënte bashkë gjithë këto shtetet. Ka një perceptim që është e korruptuar, që është inefektive e tjerë me radhë. Dhe njëkohësisht, Perëndimi ishte duke i shkaktuar vetes disa plagë. Janë plagë të vetëshkaktuara këto që ka sot Perëndimi, veçanërisht kontinenti europian. Qoftë përsa i përket politikave ekonomike, qoftë përsa i përket politikave të energjisë, politikave migratore ku në një mënyrë absurde u hapën kufijtë dhe kontinenti europian u përmbyt nga valë të mëdha refugjatësh, duke harruar që nuk i kishte kapacitetet për t'i mikpritur gjithë këto valë refugjatësh, për t'u dhënë ndihmën e duhur e tjerë me radhë.
Nga ana tjetër, i kemi kapacitetet për të kontrolluar se kush futet në kontinentin europian? Se mjaft të kujtojmë sesa, në vitet 2015, '16, '17, kishte një panik shumë të madh në qytete të ndryshme dhe në shtete të ndryshme europiane për sulmet që vinin nga ISIS apo nga grupe të tjera terroriste. Pra gjithë këto... Problemi tjetër i demografisë. Europa është një kontinent që është një kontinent në vdekje e sipër edhe nga ana e demografisë, nga vdekjet që tejkalojnë lindjet e kështu me radhë. Përsa i përket konkurrencës së Europës në arenën ndërkombëtare. Nuk ka asnjë kompani europiane në top 10 kompanitë më të mëdha sot. Nuk ka asnjë kompani europiane në top 10 startup-et ose në top 10 kompanitë e inteligjencës artificiale. Pra janë të gjithë këto probleme të cilat kanë bërë që Perëndimi të perceptohet si i dobët dhe të inkurajohen avancimet e Kinës, të Rusisë e të tjerë faktorëve. Tani këto kanë përdorur rregullat e këtij sistemit ndërkombëtar liberal, i kanë përdorur kur u ka leverdisur atyre, i kanë injoruar këto rregulla kur u ka leverdisur atyre.
© SYRI.net