Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor viktimat e 21 janarit për interesa personale dhe politike.
Ai e quajti protestën e 21 janarit 2011 “më të dhunshmen në historinë e vendit” dhe u shpreh se ishte e organizuar mbi bazën e një dokumenti të manipuluar.
Berisha akuzoi Ramën si “organizatorin kryesor” të ngjarjes dhe tha se axhenda e tij ishte politike.
Sipas Berishës, Garda e Republikës veproi brenda ligjit dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama nuk guxoi të thërrasë Ramën.
Ai shtoi se ka deklarata ndërkombëtare që kërkojnë hetim të plotë të ngjarjes, nga polici deri te organizatorët kryesorë.
Berisha përfundoi se Rama po tenton të shpëtojë veten dhe familjarët e tij duke përdorur viktimat, ndërsa dosjet e ngjarjes po monitorohen në nivel ndërkombëtar.
FJALA E BERISHËS:
Pyetja: Sot u bënë 15 vite nga 21 janarit i vitit 2011, kur u vranë 4 protestues në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, gjatë kohës që ju ishit kryeministër i vendit. Keni diçka për të thënë?
Sali Berisha: Unë i kam thënë të gjitha për këtë ngjarje. Kam shkuar dhe në prokurori e kam dëshmuar për këtë ngjarje, e cila ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, e dokumentuar, e faktuar.
Ishte protesta me axhendë politike, siç janë dokumentet ndërkombëtare.
Ishte protesta e paralajmëruar e Edi Ramës, se do të tejkalohet kushtetuta, etj., me radhë.
Ishte protesta e thirrur mbi bazën e falsifikimit të tmerrshëm, së bashku me Filip Çakullin, të një regjistrimi të bërë nga Dritan Prifti, i ndjeri, ku flitej për një letër në mos gaboj të një pronari, fitues tenderi për një HEC që e kishte marrë me gjykatë, jo nga ne. Gjykata ja kishte marrë një kompania italiane dhe dhënë këtij, për arsye që unë nuk mund të them, por vendimi i gjykatës duhej zbatuar, nuk kishte dyshim dhe që ai thoshte, shkruhej në shkresë; i nderuar ministër, për këtë vonesë që po më bëhet, 3 muaj pa u zbatuar vendimi i gjykatës, sipërmarrja ime ka humbur 700 e ca mijë euro.
Dhe fjalën 700 e ca mijë euro që Ilir Meta i thotë Dritan Priftit, që jepja, zbato vendimin e gjykatës, Edi Rama dhe Filip Çakulli e transformuan sikur ky i kishte marrë apo po i kërkonte 700 mijë euro kompanisë.
Pra, Edi Rama është përgjegjës kryesor për montimin dhe falsifikimin e dokumentit, tashmë e vërtetuar.
Për protestën e dhunshme që thirri, me një axhendë të caktuar.
Prano zgjidhjen politike më thotë mua, ose do kalohet mbi kufoma.
E gjitha kjo, nuk e di a e kanë thirrur apo jo, por ka një autor kryesor, organizator kryesor dhe ky është Edi Rama. Dhe për dijeninë tuaj, janë jo një, por më shumë se një, deklarata të qeverisë Amerikane, por dhe të institucioneve ndërkombëtare ku kërkohet hetimi i plotë i këtij zhvillimi nga polici i thjeshtë tek organizatorët kryesorë.
Është eksplicite organizatorët kryesorë.
Kjo është e gjitha. Lotët që derdh janë lotët e krokodilit. Edi Rama i solli ata si mish për top për pushtetin e tij. I solli si mish për top, për pushtetin e tij.
Ina Rama e hetoi çështjen, por nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën.
Sa u dënuan aty, por nuk gjeti asnjë shkak se aty kishte qëllime, ku Garda qëlloi në kushtet e ligjit. Garda ka zbatuar ligjin, ndaj dhe ajo propozoi vendimet.
Kjo është historia.
Por Edi Rama kërkon të përdor këto viktima, për të shpëtuar Lindën e tij, veten e tij, Mirlindën e tij, Lubinë e tij.
Asnjë qëllim tjetër sepse kësaj here kjo katërshe famëzezë është në gjykim, jo vetëm në Skap, por është në gjykim në të gjitha instancat, në të opinionin publik ndërkombëtar. Nuk ka më iluzione. Këto dosje kanë një emër, dosjet e Edi Ramës.
E kam mësuar nga kontaktet që kam, kjo është marrë, po analizohet kudo.
© SYRI.net