Një maturant mbajti sot një fjalim në foltoren e opozitës, duke lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. I riu Arlis Vuthaj, nxënës në shkollën “Petro Nini Luarasi”, deklaroi nga foltorja se realiteti i vendit mund të shihet vetëm me guxim.
Sipas tij, Shqipëria sot nuk qeveriset, por “mbahet peng nga një njeri që ka shndërruar pushtetin në propagandë dhe shtetin në pronë personale”. Duke listuar premtimet e thyera të kryeministrit, Butha theksoi se Rama “premtoi rilindje, por solli shkatërrim, premtoi shpresë, por detyroi rininë të ikë, dhe premtoi drejtësi, por ngriti një sistem që mbron pushtetin”.
Maturanti vijoi më tej duke pohuar se vendi nuk ka qenë kurrë më parë kaq i varfër, njerëzit më të braktisur dhe korrupsioni më arrogant. “Edi Rama nuk dëgjon, nuk përgjigjet dhe nuk mban përgjegjësi. Ai flet, tallet dhe fshihet pas propagandës,” u shpreh ai, duke i dërguar një mesazh të qartë qeverisë: “Mjaft me mashtrime, mjaft me tallje!”.
Në fjalën e tij, Butha pati edhe një thirrje për unitet brenda Partisë Demokratike, duke u bërë thirrje atyre që “ecin si gjarpërinjtë nën gurë” të bashkohen, pasi “uragani ynë do ju marrë përpara”. Ai përmbylli fjalimin me deklaratën se “koha e Edi Ramës ka mbaruar, ndryshimi po vjen”.
Pas fjalimit të tij, në podium u ngjit lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, i cili përshëndeti qytetarët e pranishëm si “të pamposhtur”, duke theksuar se nga protesta po përcillet “mesazhi i shpresës dhe mesazhi i fitores”.
Fjala e maturantit:
Mirëmbrëma! I nderuar kryetar i Partisë Demokratike doktor Sali Berisha. Të nderuar demokratë. Unë quhem Arglis Vuthaj, maturant në shkollën Petro Nini Luarasi. Jam këtu si i ri, si qytetar, si dikush që jeton çdo ditë realitetin e këtij vendi. Sepse për të kuptuar situatën në të cilën vendi jonë është fundosur, nuk nevojitet moshë as përvojë, por vetëm guxim për ta parë realitetin drejtë në sy.
Sot Shqipëria nuk qeveriset, por mbahet peng nga një njeri që ka shndërruar pushtetin në propagandë dhe shtetin në pronë personale. Edi Rama premtoi rilindje, por solli shkatërrim. Premtoi shpresë, por detyroi rininë të ikë. Premtoi drejtësi, por ngriti një sistem që mbron pushtetin dhe godet kundërshtarët.
Kurrë më parë Shqipëria nuk ka qenë kaq e varfër. Kurrë më parë njerëzit nuk janë ndjerë kaq të braktisur dhe kurrë më parë nuk ka qenë korrupsioni kaq arrogant. Edi Rama nuk dëgjon, nuk përgjigjet dhe nuk mban përgjegjësi. Ai flet, tallet dhe fshihet pas propagandës, ndërsa shqiptarët paguajnë çmimin çdo ditë.
Ne i themi sot qartë mjaft! Mjaft me mashtrime, mjaft me tallje, mjaft me një pushtet që mendon se Shqipëria është plaçkë. Partia Demokratike është këtu për ta rrëzuar këtë arrogancë me votë dhe për t'i kthyer shtetin qytetarëve, dhe për t'i dhënë fund një epoke dështimi. Koha e Edi Ramës ka mbaruar, ndryshimi po vjen. Dhe kam një thirrje për ato që brenda Partisë Demokratike ecin si gjarpërinjtë nën gurë apo si qen që kafshojnë të zotin e shtëpisë. Ndaloni dhe bashkohuni me ne sepse uragani jonë do ju marrë përpara! Rroftë Partia Demokratike! Rroftë Shqipëria!
© SYRI.net