Pas kallëzimit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), kreu i Kuvendit Niko Peleshi vijon të shfaqë publikisht bindjen politike ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që zhvillimet institucionale po ecin paralelisht.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit. Mbledhja do të ketë në fokus vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së SPAK, e cila lidhet me dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin apo heqjen e lirisë së Belinda Ballukut, përmes zëvendësimit të masës së sigurimit.
Megjithëse kjo kërkesë e SPAK është bërë që në dhjetor të vitit të kaluar, Peleshi vazhdon të zvarrisë mbledhjen e këtij këshilli, duke u bërë kështu palë me Ramën dhe Ballukun dhe duke penguar SPAK-un të kryejë arrestimin e kësaj të fundit, e cila akuzohet për disa vepra korruptive.
Njoftimi zyrtar:
Të nderuar kolegë,
Ju njoftojmë se në mbështetje të nenit 74, pika 1, të Kushtetutës , dhe nenit 42, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, sesioni i ri parlamentar do të nisë më 19 janar 2026.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë urdhrat përkatës për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, e më konkretisht:
•Me Urdhrin nr. 1, datë 12.01.2026, Kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datën 19 janar 2026, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit.
Në rendin e ditës përfshihet shqyrtimi dhe miratimi i projektprogramit dhe projektkalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe i projektkalendarit të ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores.
•Me Urdhrin nr. 2, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Kuvendit në seancë plenare, në datën 19 janar 2026, ora 17:00.
Seanca plenare do të shënojë hapjen e Sesionit II të Legjislaturës XI dhe do të zhvillohet me rend dite procedurial, i cili përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme si dhe njoftime, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
•Me Urdhrin nr. 3, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.
Gjithashtu, në mbështetje të nenit 11, pika 5, të Rregullores së Kuvendit, është thirrur mbledhja e Byrosë së Kuvendit në datën 20 janar 2026, ora 11:00, me rend dite që përfshin shqyrtimin e çështjeve me natyrë procedurale dhe organizative, përfshirë:
* ankesa të paraqitura nga deputetë,
* propozime për ndryshime në strukturën e administratës së Kuvendit,
* hapjen e procedurave për plotësimin e vendeve të lira,
* si dhe informimin mbi detajimin e buxhetit të Kuvendit për vitin 2026.
Faleminderit!
© SYRI.net