Monika Kryemadhi, pas përfundimit të seancës gjyqësore në GJKKO, ka zbuluar detaje nga procesi kundër saj dhe ish bashkëshortit, Ilir Meta.
Ajo ka treguar se seanca e radhës është shtyrë me kërkesën e saj, për shkak të angazhimit televiziv. Kryemadhi ka shpjeguar se i ka kërkuar gjyqtares që seanca të mos mbahej ditën e martë, pasi përkonte me pjesëmarrjen e saj si opinioniste në një spektakël televiziv.
Sipas saj, kërkesa është pranuar dhe seancat e ardhshme gjyqësore do të mbahen çdo të enjte. Duke folur për mediat, ajo konfirmoi se Ilir Meta ishte i pranishëm në seancë. Kryemadhi deklaroi se prokuroria nuk ka mundur të paraqesë si prova disa kërkesa që vetë zoti Meta i kishte bërë më herët, duke pranuar se nuk i dispononte ato.
E pyetur nëse ka komunikuar me ish bashkëshortin e saj gjatë seancës, Kryemadhi u përgjigj negativisht, duke theksuar se "nuk flasin" dhe se ajo ka "objektiva të tjera". Në vijim, Kryemadhi i ka cilësuar akuzat e SPAK-ut si të pabazuara, duke argumentuar se pas gjashtë muajsh proces gjyqësor, në dosje ende mungon një listë provash.
"Çdo dosje penale bashkëngjitet me listën e provave. Po të kishin prova, do ta bashkëngjisnin listën e provave," deklaroi ajo, duke e konsideruar mungesën e saj si një tregues të dobësisë së akuzave. Ajo shtoi se çdo shtyrje e procesit është në kurriz të Ilir Metës, pasi atij i janë pezulluar masat kufizuese dhe vonesat nuk i shërbejnë askujt.
Sigurisht që seanca tjetër u la me datë 22. Unë bëra një kërkesë gjyqtares, sepse donin ta lënin ditë të martë dhe ajo e pranoi kërkesën time, që ditë të martë që unë kam prime, në Big Brother, të mos kemi seancë gjyqësore, sepse as të mërkurave në mëngjes sepse shkon prime-i vonë dhe me thënë të drejtën u tregua shumë xhentile dhe e pranoi kërkesën time. Kështu që ne kemi seanca tashmë çdo të enjte. Po, zoti Meta ishte i pranishëm. Prokuroria i solli kërkesat që i pati kërkuar zoti Meta, të cilat prokuroria e pranoi që nuk i dispononin dot si prova. Nuk flas, kam objektiva të tjera.
Sot e pashë kur po fliste, ishte shumë mirë. Këdo të pyesësh, këdo avokat, këdo gjyqtar, këdo, pavarësisht pozicionimeve, po themi, edhe qëndrimeve të tyre politike që kanë, se tash unë s'mund të them që s'janë qëndrime politike që ka edhe gjykata edhe SPAK-u, çdo dosje penale bashkëngjitet me listën e provave. Ne kemi, sa kemi? Gjashtë muaj që jemi në gjykatë? Asnjë listë provash nuk kemi. Kemi bërë kërkesën, presim listën e prokurorisë.
Nuk po themi që në akuzë nuk i... kur për çdo vepër të akuzës nuk e parashkruan se në çfarë volumi është, në çfarë fashikulli, çfarë faqe e të tjera e të tjera, por të paktën një listë provash. Kështu që as nuk ka listë provash. Po të kishin prova do ta bashkëngjisnin listën e provave. Jo, nuk po zgjat te çdo afat i të arsyeshmes, sepse në fund të ditës zotit Meta ia kanë pezulluar të gjithë ëh... paraburgimin, pra nuk ja... nuk i quhen... po themi masa e paraburgimit. Kështu që në fund të ditës çdo shtyrje që bëhet është në kurriz të zotit Meta.
© SYRI.net