I ftuar në misionin 'TASK FORCE' me Sonila Meçon, urbanisti Armand Muka theksoi se qyteti i Durrësit nuk është përmbytur thjesht nga reshjet e dendura, por si pasojë e një projekti infrastruktural katastrofik dhe të keqmenaxhuar. Ai zbuloi se hidrovori i ri, me vlerë 19 milionë euro, i ndërtuar pa studim teknik dhe në një vend të gabuar, është praktikisht i paaftë të mbrojë qytetin, duke e lënë Durrësin në mëshirë të përmbytjeve.
Muka denoncoi gjithashtu mbylljen e një kanali jetik të ujërave të larta, gjatë 2.6 km, për t’u shndërruar në park rekreativ, një projekt që, sipas tij, i hoqi qytetit një nga mekanizmat natyrorë kryesorë të kullimit. Eksperti u shpreh se spostimi i hidrovorit u bë “në kushte emergjence për të vjedhur”, pasi nuk ekzistonte asnjë nevojë reale teknike, ndërkohë që kostoja totale e projektit shkon deri në 20 milionë euro.
Ai paralajmëroi se për sa kohë qyteti do të varet nga ky sistem i gabuar, përmbytjet katastrofike do të përsëriten, duke lënë zonat e ish-Kënetës, Spitallës dhe Plazhit në një emergjencë të shumëfishtë: ekonomike, sociale, sanitare dhe sigurie.
Pjesë nga deklarata:
Është fakt që, prej dy vitesh, Bashkia e Durrësit, me një project natyrisht me dorën e kryeministrit është përpjekur që në atë zonë, pra në kanalin e ujërave të larta, që mbledh të gjithë pjesën e kodrave të Durrësit, një pjesë të mirë të tyre, për një gjatësi prej 2.6 km, të mbyllë dhe të krijojë një park rekreativ, Parku Rekreativ i Spitallës. Automatikisht, kjo është ajo çfarë edhe ju përmendët në studio: të gjithë shirat, duke mos shkuar aty dhe duke mos u depozituar në këtë kanal, i cili ka qenë i projektuar që nga viti 1945, bashkë me hidrovorin dhe gjithë pjesën e sistemit hidrik të zonës së ish-Kënetës së Durrësit, nga Instituti i Hidrologjisë në Shën Petërburg, një nga institutet më famoze të kohës, edhe aktualisht. Fakti që mbyllja e këtij kanali, e cila momentalisht ka kushtuar rreth 2.5 milion euro për t’u realizuar, është një nga faktorët që ka ndikuar në përmbytjen e qytetit të Durrësit në këtë masë.
Sikurse një nga problematikat kryesore, të cilat, okej, nuk arrini ta perceptoni sepse nuk i dini, është një problem teknik. Kur është bërë plan-vendosja dhe vend-vendosja e hidrovorit të qytetit të Durrësit, ajo ka qenë rezultat i një studimi të mirëmenduar, katër–pesë vjeçar, dhe është kryer me specialistët sovjetikë të asaj periudhe dhe është vendosur aty ku ishte. Ky hidrovor arrinte të merrte ujin nga kuota -3.9 m, e cila është kuota minimale e atij studimi që është bërë në atë kohë, duke pasur parasysh zhvillimet e ujit të shiut në kuotën më të ulët në qytetin e Durrësit.
Aktualisht, hidrovori i ri, i ndërtuar me 19 milion euro, është vendosur 1 km më lart drejt veriut, por në atë zonë pa studim, në kushte emergjence një emergjencë për të justifikuar ndërtimin, sepse nuk kishte asnjë emergjencë tjetër. Hidrovori i Durrësit nuk pësoi dëmtime nga tërmeti; fakti është që ai, sot e kësaj dite, është në punë flas për hidrovorin e vjetër. Hidrovori i ri u ndërtua në një vend më lart sesa hidrovori i vjetër, dhe automatikisht çfarë ndodh? Nga -3.9 m nga niveli i detit, hidrovori i ri është në -2.7 m. Pra, kemi një diferencë prej 1.2 m, dhe në të gjithë qytetin e Durrësit nuk do të mblidhet më ky ujë në qoftë se funksionon vetëm hidrovori i ri.
Nëse hidrovori i vjetër arrinte të mblidhte deri në kuotën -4 m, ky e merr deri në -2.7 m. Në të gjitha ato zona që janë nën këtë kuotë nga niveli i detit, uji nuk thithet nga hidrovori. Fakti që sot e gjithë kjo zonë është e përmbytur, është sepse hidrovori i vjetër nuk ka funksionuar. Ne kemi qenë në terren, dhe në punë ishin të dy hidrovorët. Hidrovori i vjetër punonte me një regjim të reduktuar, sepse sasia e ujit që nxirrte, sipas asaj që pamë, ishte e reduktuar. Hidrovori i ri punonte me gjashtë pompa. Dhe niveli i ujit nga dje sot, në zona të caktuara, nuk është ulur. Fakti që niveli nuk është ulur tregon që hidrovori i ri nuk arrin ta thithë atë sasi uji. Sot niveli i ujit duhet të ishte ulur, por ishte më i lartë sesa dje, falë hapjes së rezervuarëve.
Këshilli Bashkiak është një institucion ku ne kemi kërkuar të gjitha këto informacione. Përsa i përket periudhës kur nuk ishim pjesë e Këshillit Bashkiak, duhet të kihet parasysh se ekzistonte një boshllëk prej katër vitesh, por që nga kthimi ynë në vitin 2020, 2023, kemi kërkuar të gjejmë përgjegjësitë për atë që ka ndodhur, si dhe për periudhën përpara. Gjatë periudhës së tërmetit janë dhënë dy transhe të para për rindërtimin dhe rikonstruksionin e hidrovorit të vjetër dhe ndërtimin e të riut, si dhe stabilizimin e sistemit të ujërave dhe kanaleve kulluese në zonën e Spitallës. Në fakt, për kanalizimet nuk është bërë asgjë; të gjitha fondet shkuan thjesht për të hapur një kanal nga hidrovori i ri dhe për ndërtimin e hidrovorit të vjetër.
Rindërtimi i hidrovorit të ri ishte i nevojshëm. Në këtë pikë, Këshilli Bashkiak, në transhin e fundit, arriti të ndërhyjë, sepse ishte një shifër rreth 11 milion euro që kërkohej të shpenzohej. Kemi kërkuar informacion të plotë dhe kemi dhënë votën tonë kundër. Pse? Sepse hidrovori i vjetër, i viteve ‘50, ishte plotësisht funksional. Ndërtimi i hidrovorit të ri në një kuotë më të lartë ishte i ditur që në fillim nga specialistët, dhe këto ditë kam konsultuar specialistë më të vjetër në sektor, të cilët e kanë konfirmuar. Nëse Durrësi do të funksionojë vetëm me hidrovorin e ri, automatikisht do të kemi përsëri dëmet që pësuam këtë herë, siç ndodhi me tre valë shirash radhazi: janar i vitit të kaluar, shtator i vitit të kaluar dhe janar i këtij viti.
Kjo e kam ngritur edhe në Këshillin Bashkiak, në mbledhjen e fundit më 23 dhjetor, ku i kërkova kryetares së bashkisë dhe administratës që të mos veprojmë gjithmonë në emergjenca të tilla, por të bëjmë një studim të mirëfilltë. E dimë që bashkia nuk ka ekspertizën e duhur për ta bërë këtë, ndaj sugjerova të kërkojmë kompani të specializuara për të identifikuar problematikat kyçe që ndikojnë në qytetin e Durrësit. Në këtë mënyrë, do të planifikohet në buxhetin e vitit 2026.
Ne e dimë që Bashkia ka informacionin, por duke bërë këtë lojë “polici i mirë, polici i keq”, fondet janë përdorur pa plan, dhe aktualisht e gjithë zona e ish-Kënetës, Spitallës, Plazhit dhe Porto Romanit është në kushte emergjence ekonomike, psikologjike, sociale, sanitare dhe sigurie.
© SYRI.net