Berisha: Ftoj çdo demokrat dhe qytetar të vërshojë për të mbështetur këtë protestë

Berisha: Ftoj çdo demokrat dhe qytetar të vërshojë për të mbështetur këtë protestë

13:23, 20/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i PD, Sali Berisha përmes një komunikimi online me shqiptarët i ka ftuar këta të fundit, t’i bashkohen pasivisht protestës në kryeqytet.

Gjatë bashkëbisedimit me ta, Berisha tha se mbështetja ndaj protestës së sonte është një mbështetje ndaj kauzës së çdo qytetari që beson në lirinë, vlerat e saj.

‘Që beson se vota e lirë duhet të përcaktojë qeveritarët e këtij vendi. Që beson se zgjedhjet e lira janë kushti më themelor për një komb që të ketë të ardhmen që meriton’, theksoi lideri demokrat.

Bashkëbisedimi:

Arbër Mitrushaj: Përshëndetje zoti Berisha, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit, dua t'ju bëj dy pyetje.

E para, pas protestave dhe tensioneve të fundit politike në vend, cili është plani konkret i opozitës për të sjellë ndryshim politik dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të besueshme?

E dyta, nëse opozita vjen në pushtet, cilat do të jenë tre vendimet e para që do të merrni për të luftuar korrupsionin dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet?

Sali Berisha: Pyetje e drejtë. Së pari, për zgjedhjet, opozita siç mund ta dini zoti Mitrushaj, ka arritur të sanksionojë në të gjitha dokumentet ndërkombëtare se zgjedhjet në Shqipëri ishin zgjedhje në kushtet e partisë-shtet.

Pra ishin farsë zgjedhore. Dhe kjo ka bërë, ose për këtë arsye qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka uruar Edi Ramën pas instalimit të tij me mandatin e katërt, kurse Parlamenti Europian në raportin që miratoi, Parlamenti Europian që miratoi para 3-4 ditësh, bën fjalë për një shkrirje të linjës ndarëse midis institucioneve shtetërore dhe partisë së Edi Ramës.

Kjo është një arritje e rëndësishme. Pra, pse është shumë e rëndësishme? Sepse është faturuar që Edi Rama nuk ka legjitimitet si qeveri. Dhe natyrisht ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë betejën tonë.

Nuk kemi thirrur protestë gjatë këtyre ditëve, për arsye se nuk e gjykuam të drejtë të rivalizojmë një protestë qytetare-rinore, por e gjykuam më të drejtë që anëtarët dhe mbështetësit tanë të jenë të pranishëm me qindra dhe mijëra në këtë protestë, dhe kjo po ndodh.

Floriana Garo: Këto ishin pyetje Doktor, një përmbyllje...

Sali Berisha: Edhe një herë, dua të ftoj çdo qytetar dhe qytetare shqiptar, çdo mbështetëse dhe mbështetës, anëtar dhe anëtare të Partisë Demokratike, sot më shumë se kurrë, të vërshojmë drejt bulevardit, shesheve dhe rrugëve të Tiranës, të mbështesim këtë protestë, kauza e së cilës është kauzë e çdo qytetari që beson në lirinë, vlerat e saj.

Që beson se vota e lirë duhet të përcaktojë qeveritarët e këtij vendi.

Që beson se zgjedhjet e lira janë kushti më themelor për një komb që të ketë të ardhmen që meriton.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco