Prençi: Shqipëria e pambrojtur nga fatkeqësitë natyrore, shteti 10 vite mbrapa në menaxhimin e emergjencave

15:21, 07/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria mbetet një vend i ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërtuar ende mekanizma funksionalë për parandalimin dhe menaxhimin e tyre. Kështu u shpreh Shemsi Prençi, ish-kreu i Emergjencave Civile, në një intervistë për Syri TV me gazetarin Arnold Karriqi, ku theksoi se mungesa e strategjive dhe planeve konkrete nuk është çështje politike, por papërgjegjshmëri shtetërore që shkon deri në sabotim.

Sipas tij, ndonëse fatkeqësitë si përmbytjet, zjarret dhe rrëshqitjet janë të parashikueshme, Shqipëria është ende pa një sistem të plotë mbrojtjeje civile, pavarësisht fondeve të mëdha të deklaruara nga qeveria.

Shemsi Prençi: Shqipëria është e ekspozuar ndaj riskut të fatkeqësive të natyrës. Nuk ka qeveri të majtë apo të djathtë, meqenëse përmende politikën, këtu s'bëhet fjalë për politikë, këtu bëhet fjalë për t'i shërbyer qytetarëve. Fakti që Shqipëria është një vend në një pozicion gjeografik me rrisk të lartë ndaj fatkeqësive të natyrës, të cilat janë të shumta në numër, por më së shumti dhe më të rrezikshme janë tërmeti, janë përmbytjet, janë zjarret, janë rrëshqitjet e tokës, orteqet, bllokimet e rrugëve nga dëbora e të tjera, të cilat Shqipëria i ka prezencë çdo vit. Dhe nuk vijnë papritur. Me përjashtim të tërmeteve që vjen i papritur, të gjitha të tjerat vijnë në stinët e tyre, për të cilat ka mundësi që të përgatitet.

Ka disa vite që është përfolur që qeveria shqiptare po investon për një strategji të re të mbrojtjes civile, të udhëhequr nga Banka Botërore dhe e ka sot aktualisht, e ka në diskutim me publikun. Por faktikisht kjo është detyrim që në 2015-ën. Çfarë do të thotë që jemi 10 vjet mbrapa. Ajo për t'u miratuar dhe për t'u hedhur në veprim kërkon edhe aktet e tjera, qoftë planin kombëtar të mbrojtjes, pra strategjia kombëtare e mbrojtjes civile, plani kombëtar, me planet e masave për çdo njësi të qeverisjes vendore dhe çdo institucion qendror të fushës së përgjegjësisë. Unë mbrëmë në një studio televizive e kam quajtur papërgjegjshmëri deri në sabotim.

E kam quajtur deri në sabotim sepse ë të gjitha së bashku, po të marrim vetëm një element që është përfolur shumë, inceneratorët, janë miratuar tre strategji kombëtare të menaxhimit të mbetjeve. Janë bërë harxhime mbi 410 milionë euro dhe nuk kemi asgjë, ka dështuar. Dhe qeveria mbas 13 vjetësh ka ndryshuar drejtimin e përpunimit të mbetjeve. Po kjo qeveri, pra, po kjo qeveri, ka bërtitur me të madhe nga Drejtoria e Emergjencave Civile që do miratojmë ligjin e ri 2025 dhe do futemi në me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. U ngrit Agjencia e Mbrojtjes Civile. Ku është? Dje ishin vetëm 23 forca në Durrës.

Pra e kam quajtur sabotim sepse nuk mundet të deklarojë qeveria që kemi investuar 19 milionë euro për një hidrovor. Me 19.000 milionë euro ngrihen minimumi, ndërtohen minimumi pesë hidrovorë. Ne e dimë se sa kushtojnë. Është sabotim sepse, në emergjencat civile ka një formulë të artë botërore, që 1 dollar i investuar në parandalim është kursim i 7 dollarëve në rikuperim të situatës së shkaktuar nga fatkeqësia. Qeveria jonë e lë me dashje që të ndodhi fatkeqësia, të ndodhë përmbytja në ish-kënetën e Durrësit, që unë s'e quaj më ish-kënetë sepse ajo është kthyer në kënetë. Fakti që përmbytet çdo vit është kënetë ekzistuese aktualisht, sepse ajo nuk mund të rikuperohet pa gjashtë muaj. Edhe pastaj vijnë shira të tjera dhe përsëri dhe ajo ngelet kënetë, se është ish-kënetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco