Këshilltari për Sigurinë në PD, Xhemal Gjunkshi ka reaguar ndaj përmbytjeve, duke akuzuar qeverinë për propagandë teatrale me çizme dhe mungesë masash parandaluese.
Në postimin e tij në Facebook, Gjunkshi thekson se kanalet e pambajtura, pusetat e bllokuara dhe mungesa e investimeve në ujërat e bardha kanë sjellë dëme të mëdha për qytetarët dhe bizneset.
Gjunkshi kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura dhe dëmshpërblim të plotë për të prekurit, duke nënvizuar se vendi nuk qeveriset me kamera, por me përgjegjësi dhe veprim.
Postimi i plotë:
Ministrat e kësaj qeverie, sapo bie shi, veshin cizmet e propagandës dhe dalin për inspektime teatrale. Sot “shohin” situatën, ndërsa dje, kur duhej të merrnin masa, nuk bënë asgjë.
Kanale të pambajtura, pusetat të bllokuara, zero investime serioze për ujërat e bardha. Dhe tani dalin për foto.
Në verë digjemi nga zjarret, sepse shteti nuk blen dot as dy avionë për emergjencat. Në dimër mbytemi nga përmbytjet, sepse kujtohen të “marrin masa” vetëm pasi dëmi ka ndodhur.
Kush e paguan? Qytetarët. Uji u ka hyrë në shtëpi e biznese, u ka shkatërruar jetën dhe mundin e shumë viteve punë e sakrifica. Dhe sërish, fatura u shkon atyre.
Kërkojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura. Shteti duhet të marrë përgjegjësi të plotë për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura. Jo propagandë me çizme, por veprim, përgjegjësi dhe llogaridhënie. Shqipëria nuk qeveriset me kamera, por me punë.
© SYRI.net