Përmbytjet në Sukth/ Deputetja e PD: Ka familje të bllokuara! Banori: Hidrovori nuk funksionon, duhet ndihmë urgjente

17:42, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Situata paraqitet katastrofike në zonën e Sukthit në qarkun e Durrësit, ku reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive, duke lënë dhjetëra familje të bllokuara dhe me shtëpitë e tyre nën pushtetin e ujit.

Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Durrës, Manjola Luku, ka denoncuar situatën kritike të përmbytjeve në bashkinë Durrës, duke akuzuar institucionet vendore dhe qendrore për dështim total në menaxhimin e emergjencës.

“Reshjet e fundit kanë shkaktuar probleme serioze në shumë fshatra të njësive administrative Manëz dhe Sukth. Banorët janë të bllokuar dhe rrugët e aksesit janë të mbuluara nga uji. Kemi nevojë urgjente për ndërhyrje për lirimin e rrugëve dhe ndihmë për familjet e prekura”, deklaroi deputetja Luku.

Nga terreni, banorët shprehen të dëshpëruar për situatën:
“Situata më e keqe nuk ka ku shkon më. Uji ka hyrë në shtëpi. Po përdorim fadroma dhe pompa, por gjithçka po përkeqësohet. Hidrovoret nuk funksionojnë, dritat janë ndërprerë dhe kemi nevojë urgjente për ndihmë”, treguan ata.

Deputetja Luku theksoi se situata kërkon veprime të menjëhershme: “Bashkia dhe qeveria duhet të lënë propagandën dhe të dërgojnë ekipet dhe mjetet e nevojshme. Duhet një paketë emergjence për përballimin e situatës dhe mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve. Niveli i ujit ka arritur maksimumin dhe kjo është një zonë shumë emergjente”, shtoi ajo.

Banorët i bënë thirrje qeverisë: “Thirrje kemi për qeverinë që të vijë dhe të na ndihmojë. A ka qeveri apo jo?”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco