Partia Demokratike ka njoftuar publikimin dhe dërgimin në organet ligjzbatuese të një materiali voluminoz të cilësuar si “enciklopedia e krimit zgjedhor të narkoshtetit”. Në një dalje për mediat, deputeti i PD-së Ivi Kaso deklaroi se ky material i plotë do t'i ripërcillet sërish SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Partisë Demokratike, ky veprim vjen në një moment të ri, duke shpresuar në një këndvështrim të ndryshëm nga ana e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht nën dritën e veprimeve të reja procedurale që janë ndërmarrë ndaj atyre që cilësohen si “krerët e narkoshtetit”.
“I japim shansin përsëri SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që brenda sferës së tyre të kompetencës, gjithçka çfarë kanë patur të pamundur ta faktojnë ose ta provojnë nga pikëpamja procedurale, me administrimin e gjithë kësaj enciklopedie, të bëjnë të gjithë veprimet e duhura”, u shpreh përfaqësuesi i selisë blu. Qëllimi, sipas tij, është që organet e drejtësisë të japin një shembull dhe të tregojnë se më në fund do të merren seriozisht me krimin zgjedhor.
Ivi Kaso:
Ua kemi përcjellë organeve ligjzbatuese. Tani me publikimin e kësaj enciklopedie të krimit zgjedhor të narkoshtetit, kemi mundësinë që t'ia ripërcjellim dhe një herë të gjithë materialin e plotë organeve ligjzbatuese duke shpresuar në një këndvështrim ndryshe të tyre, edhe nën dritën e veprimeve të reja proceduriale që ata kanë bërë mbi krerët e e narkoshtetit.
Flas këtu për krerët ekzekutivë, pasi kreu i narkoshtetit dihet që sot për fat të keq vazhdon ende në zyrë. I japim shansin përsëri SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që brenda sferës së tyre të kompetencës, gjithçka çfarë kanë patur të pamundur ta faktojnë, ose çfarë kanë patur të pamundur që ta kenë të provuar nga pikëpamja proceduriale, nga pikëpamja e provave dhe nga çdo pikëpamje tjetër, me administrimin e gjithë kësaj enciklopedie, të bëjnë të gjithë veprimet e duhura që pavarësisht se vonë, të bëjnë shembuj për të treguar që më në fund organet e drejtësisë duan të merren edhe me krimin zgjedhor.
Në qoftë se sot trumbetohet me të madhe hetimet proaktive në fusha të tjera, për fat të keq përsa i përket adresimit të shqetësimeve, përsa i përket krimeve elektorale, ende sot nuk kemi asnjë rekord pozitiv. Kështu që u jepet përsëri shansi që të mund të veprojnë. Faleminderit.
© SYRI.net