Opozita në sallën e Mandateve, PS mungon/ Bardhi: Janë zëdhënës të Ballukut, akt i rëndë pengimi i drejtësisë

11:54, 23/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Teksa në orën 11:00 ishte parashikuar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e kërkuar nga pakica parlamentare, mazhoranca socialiste ka refuzuar të marrë pjesë. Mungesa e anëtarëve të PS-së bëri të pamundur zhvillimin e mbledhjes, pavarësisht se ajo ishte thirrur në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Deputetët e Partisë Demokratike, të cilët përfaqësohen me dy anëtarë në këtë Këshill, u paraqitën në mbledhje për të diskutuar si masat disiplinore të kërkuara nga PS për 29 deputetë të opozitës, ashtu edhe vijimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, deklaroi se Rregullorja e Kuvendit përcakton qartë se Këshilli mblidhet me kërkesën e kryetarit të Kuvendit ose të gjysmës së anëtarëve të tij dhe se mbledhja është e vlefshme kur marrin pjesë të paktën pesë anëtarë.

“Prej 27 minutash po presim kryetaren e Kuvendit dhe katër përfaqësuesit e mazhorancës. Ata janë fshehur, njësoj si kriminelët që i shmangen drejtësisë,” u shpreh Bardhi.

Sipas tij, opozita ka depozituar kërkesë zyrtare për mbledhjen e Këshillit, duke respektuar afatet procedurale dhe precedentin parlamentar, ndërsa SPAK ka kërkuar shqyrtim të çështjes brenda 3 deri në 5 ditësh, për shkak të rrezikut të intimidimit të dëshmitarëve dhe prishjes së provave.

Bardhi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se po urdhëron Kuvendin të pengojë drejtësinë, duke mos lejuar mbledhjen e Këshillit dhe shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

“Pesë anëtarët e mazhorancës po sillen si zëdhënës të një të pandehure, jo të interesit publik. Po mbrojnë Belinda Ballukun, e akuzuar për abuzime dhe veprime korruptive në procedura që kapin vlerën e mbi 1.1 miliardë eurove,” deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se Kuvendi nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në pengesë për drejtësinë dhe hetimet penale, duke e cilësuar bojkotin e mazhorancës si një nga aktet më të rënda të pengimit të drejtësisë në vitet e demokracisë.

Bardhi:

Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë dhe po citoj, Këshilli mblidhet me kërkesën e kryetarit të Kuvendit, siç ishte mbledhja e shkuar e këtij Këshilli, ose të 1/2 të anëtarëve. Gjithashtu, rregullorja e Kuvendit specifikon se mbledhja konsiderohet e vlefshme kur në të marrin pjesë të paktën pesë anëtarë të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve.

Ne kemi plot 27 minuta që presim që në mbledhje të mbërrijë kryetari i Kuvendit, që është kryetari i këtij Këshilli, dhe katër anëtarët përfaqësues të mazhorancës në Këshillin e Mandateve. Me kërkesën tonë, numër 4097 fraksion 4, datë 22/12/2025, 1/2 e anëtarëve të Këshillit, duke e konsideruar periudhën më shumë se tre ditore si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatisin paraqitjen e argumentave apo mbrojtjes së tyre, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga ky Këshill, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48 deri në 72 orë maksimumi, duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 dhjetor 2025, ku nënvizon se e pandehura zv/kryeministrja e Edi Ramës Belinda Balluku, është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarët dhe po prish provat, duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda tre deri në pesë ditëve nga mbledhja e datës 19, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për mos cënimin e hetimeve, me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e çështjeve nga Prokuroria e Posaçme, pesë përfaqësuesit e opozitës në Këshill kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit për sot, ora 11:00, me rend dite vijimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj deputetes, zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.

Qytetarët janë dëshmitarë që njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë, edhe kolegët e mazhorancës që përfaqësojnë krimin në këtë Kuvend, sot janë fshehur. Nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme, të thirrur nga pesë anëtarët, edhe pse rregullorja e detyron kryetarin e Kuvendit të njoftojë rendin e ditës, të njoftonte të pandehurën Belinda Balluku që të vinte dhe të mbroheshe apo të jepte argumentat e saj në Këshill, të njoftonte Prokurorinë e Posaçme.

Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer ky Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë Kuvendin e Shqipërisë që të mos mbledhë Këshillin e Mandateve, të mos mbledhë seancën plenare dhe të pengojë prokurorinë të kryejë funksionin e vet kushtetues. Dhe unë për herë të parë dua t'ju lexoj pjesë nga kërkesa që prokuroria ka sjellë në Kuvend dhe që e bëjnë të ngutshëm mbledhjen e Këshillit.

Sikundër ju jeni dëshmitarë, cilido që kërkohet të arrestohet, kërkon ta zvarrisë çështjen. Nuk ekziston ndonjë person në botë që dëshiron të shkojë me qejf në burg. Dhe zonja Balluku, sigurisht që ka interes për të zvarritur shqyrtimin e çështjes nga Këshilli dhe Kuvendi. Pyetja që shtrohet është, pse pesë anëtarët e mazhorancës nuk bëhen zëdhënës të interesit publik, po bëhen zëdhënës të Belinda Ballukut në Kuvendin e Shqipërisë? Bëhet zëdhënës të një të pandehuri të akuzuar për abuzime me detyrën dhe veprime korruptive në procedura prokurimi dhe koncesionare që kapin vlerën deri në këto moment të 1.1 miliardë eurove. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco