Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

'Bollino kudo ku ka afera'/ Këlliçi: Kontroll i redaksive për t’i kthyer në altoparlantë shpifës, shantazhues dhe mburojë pushtetin

'Bollino kudo ku ka afera'/ Këlliçi: Kontroll i redaksive për t’i kthyer në altoparlantë shpifës, shantazhues dhe mburojë pushtetin

14:24, 19/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj medias së kontrolluar nga Carlo Bollino, duke e akuzuar për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me pushtetin dhe përfshirje në afera korruptive.

Sipas Këlliçit, media e Bollinos nuk funksionon si pushtet i katërt, por si “nënkontraktore e aferave korruptive të pushtetit kriminal”, duke goditur sistematikisht opozitën, duke mbrojtur qeverinë dhe duke relativizuar skandalet që, sipas tij, rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë.

Duke iu referua “Dosjes Balluku”, Këlliçi shprehet se kjo është dëshmi e radhës e përdorimit kriminal të medias, ku interesi nuk është transparenca apo interesi publik, por qarkullimi i parave brenda një rrethi të mbyllur pushtet–media. Ai përmend edhe deklarimet për miratimin e 700 milionë lekëve, duke theksuar se media kërkon llogari jo pse janë vjedhur paratë publike, por pse nuk janë shpërndarë ende.

Deputeti i PD-së e krahason këtë model me aferën e inceneratorëve, duke akuzuar Carlo Bollinon për përfitime të vazhdueshme nga fondet shtetërore dhe për përdorimin e medias si instrument shantazhi, presioni dhe propagande politike. Sipas tij, Bollino shfaqet kudo ku ka afera dhe është i lidhur edhe me përvetësimin e pronave publike në Tiranë, përfshirë truall të destinuar për shkollë, të shndërruar në godinë mediatike me fonde publike.

“Nuk mban më kjo simbiozë e pështirë mes pushtetit dhe medias”, shkruan Këlliçi, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe morale jo vetëm për zyrtarët e korruptuar, por edhe për gazetarët dhe pronarët e mediave që, sipas tij, janë pjesë aktive e skemës.

Në përfundim, Këlliçi thekson se shpërdorimi i parave publike dhe sulmet e paguara janë dy krime të njëjta, të kryera në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Këlliçi:

Media e keqpërdorur funksionon saktësisht për qëllimet më të ndyra, jo si pushtet i katërt, por si nënkontraktor i aferave korruptive te pushtetit kriminal.

Ndaj prej 12 vitesh godet opozitën, mbron pushtetin, relativizon skandalet dhe hesht për shpopullimin dhe mizerjen e jetës reale të qytetarëve. Mercenare dhe ekzekutore e një skeme të qëndrueshme interesi në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Ndaj edhe Dosja Balluku është kapitulli i radhës në manualin e përdorimit kriminal të medias.

Skema është primitive në thelb, por e rafinuar në formë. Media e Carlos kërkon “llogari” pse projektet e rryshfetit nuk po lëvrohen ende, ndërkohë që Ervis Berberi pranon se janë aprovuar plot 700 milionë lekë. As për interes publik, as për transparenvë. Por për qarkullimin e parave brenda një rrethi të mbyllur pushtet–media. Interes i drejtpërdrejtë financiar mbi djersën e shqiptarëve, kontroll i redaksive për t’i kthyer në altoparlantë shpifës, shantazhues dhe mburojë politike për pushtetin.

Si në rastin Veliaj me inceneratorët, modeli është po ai: Carlo, leçjani i parave publike, vijon të ushqehet si i babëzitur nga fondet shtetërore, këtë herë nën ombrellën e Belinda

Ballukut për të qelbur me propagandë opinionin publik.
Media, që nuk kërkon llogari pse u vodhën paratë publike, por pse nuk ka marrë ende pjesën e saj, ky është modeli i gazetarisë së Carlos.

Carlo shfaqet kudo ku ka afera. Siç e kam denoncuar publikisht, ai qendron pas rrëmbimit të 4 mijë metrave katrorë truall publik në Tiranë, tokë e destinuar për shkollë, e shndërruar në godinë mediatike me para të përfituara nga fondet e AKSHI-t. Një simbol i përsosur i katandisjes së shtetit, një bankomat për klientët e tij.

Kështu, Carlo nuk është më thjesht pronar media, por mishërimi i gazetarisë së blerë, i gazetarisë që shitet, që shërben, që mbron, vendos gjoba dhe sulmon sipas porosisë. Një kopje provinciale e “Tangentopolit” italian të fundviteve ’80, por pa dinjitetin e pendesës.

Nuk mban më. Kjo simbiozë e pështirë duhet të marrë fund. Jo vetëm zyrtarët e korruptuar, por edhe gazetarët gjobvënës dhe pronarët e mediave që i shërbejnë sistemit kriminal, duhet të mbajnë përgjegjësi penale dhe morale.

Jo si viktima të presionit, por si pjesë aktive e skemës.

Sepse paraja publike e gllabëruar dhe sulmet e paguara janë dy krime të njëjta. Dhe të dyja bëhen në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco