Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

Standardet e dyfishta të 'Rilindjes', provat e Ballukut 'sekret', për Berishën jo

12:14, 19/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Socialistët janë duke mbrojtur me çdo formë Belinda Ballukun, duke fshehur edhe provat e SPAK ndaj deputetëve të opozitës që janë pjesë e Komisionit të Mandateve në Kuvend. Por, vendimi i Niko Peleshit për fshehjen e provave, është i pabazuar, madje në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, që parashikojnë se aktet e prokurorisë u vihen në dispozicion deputetëve. Në dhjetor 2023, socialistja Lindita Nikolla, veproi me shpejtësi të lartë, duke vënë në dispozicion të deputetëve madje edhe mediave,  aktet e prokurorisë në lidhje me liderin e opozitës, Sali Berisha.

Syri TV

Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, ka vendosur të mbrojë deri në frymën e fundit imazhin e Belinda Ballukut, duke mbajtur fshehur materialet që ka përcjellë Prokuroria e Posaçme, mbi të cilat kërkon autorizimin për arrestimin e zëvendëses së kryeministrit Edi Rama.

Prej tre ditësh, Peleshi ka vendosur në kasafortë provat e përcjella nga prokurorët e posaçëm, duke u justifikuar se janë sekret hetimor dhe do t’i shpërndajë vetëm pasi të marrë lejen nga SPAK-u.

Ky argument i kryeparlamentarit Peleshi është sa i rëndomtë, aq edhe i pabazuar. Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit parashikon që kërkesa e Prokurorisë dhe aktet bashkëlidhur i vihen në dispozicion menjëherë deputetëve anëtarë të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, i përbërë nga përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës.

Në dhjetor 2023, parlamenti, i drejtuar nga socialistja Lindita Nikolla, veproi me një shpejtësi të lartë për të shpërndarë tek deputetët, por edhe pranë mediave pranë qeverisë, të gjithë provat e presupozuara të Prokurorisë së Posaçme ndaj lideri të opozitës, Sali Berisha, kur kërkoi heqjen e imunitetit të tij.

Në atë kohë, socialistët nuk kishin shumë merak për sekretin hetimor dhe as nuk e shtruan për diskutim nëse duhet të pyesnin ose jo prokurorët, para shpërndarjes së akteve për Berishën.

Ndërsa tashmë, që në tavolinë kanë pataten e nxehtë për Belinda Ballukun, Rilindja po tenton që të mbajë sa më shumë larg publikut faktet se si shpërndahen tenderat dhjetra milionë euro në qeverinë e Rilindjes.

Në 16 Dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme dërgoi në Parlamentar kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku, e marrë e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera” në Tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për të njëjtën vepër penale edhe për të paktën 7 tendera që lidhen me Unazën e Madhe të Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco