Këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Jonathan Pano, ka njoftuar një nismë për t'i hequr titullin "Qytetar Nderi" miliarderit George Soros, ndërsa ka lëshuar akuza të forta për keqqeverisje dhe korrupsion brenda institucionit.
Gjatë një interviste për 'KAFE SHQETO' në SYRI TV, Pano ka denoncuar atë që e quajti "çorganizim të organizuar" në bashki, duke vënë në dyshim legjitimitetin e katër nënkryetarëve dhe duke folur për një "taksë korrupsioni" prej 37% në prokurimet publike.
Sipas Panos, kërkesa për shfuqizimin e vendimit që i dha titullin Soros-it në vitin 2005 nga kryeministri i sotëm Edi Rama, vjen si një domosdoshmëri për ta rikthyer Tiranën "në shinat e duhura". Ai argumentoi se ky titull nuk përfaqëson qytetarët, veçanërisht kur aleati strategjik kryesor, SHBA, e konsideron Soros-in si "armik të demokracisë" që duhet hetuar nën ligjin për krimin e organizuar.
Megjithatë, Pano bëri të ditur se kjo kërkesë e opozitës nuk u pranua për t'u futur në rendin e ditës nga mazhoranca socialiste, me pretendimin se seanca ishte e përqendruar te buxheti. Duke folur për problemet e brendshme të bashkisë, këshilltari demokrat denoncoi një situatë kaotike me emërimet. Ai ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e katër nënkryetarëve të rinj, duke thënë se nuk dihet se si janë emëruar. Pano theksoi se opozita ka kërkuar dokumentacion dhe autorizime zyrtare, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
"Ne kemi vënë në pyetje dhe kush i ka emëruar këta katër nënkryetarë të rinj," deklaroi ai, duke shtuar se nënkryetarja e komanduar nuk e ka legjitimitetin për të emëruar nënkryetarë të tjerë. Pika më e fortë e akuzave të tij lidhej me financat e bashkisë. Pano iu referua një deklarate të nënkryetares së komanduar, e cila sipas tij, pranoi se ishte kursyer 37% nga prokurimet publike.
Për këshilltarin demokrat, kjo shifër është një dëshmi e qartë e asaj që ai e quajti "taksa e korrupsionit".
"Pyetja është e thjeshtë: nëse për të njëjtat zëra po kursehet 37%, cila ka qenë kjo diferencë më parë? Kjo do të thotë që 37% ka qenë korrupsioni i fshehur nën kosto në vitet e mëparshme," u shpreh Pano.
Duke kritikuar projektbuxhetin e miratuar, Pano u shpreh se atij i mungon një vizion për ta bërë Tiranën një qytet më të jetueshëm për të rinjtë dhe familjet. Në vend të kësaj, sipas tij, realiteti tregon një bashki "gjobaxhie", ku realizimi i gjobave ka arritur në mbi 180% të planit. Pano e lidhi situatën në Bashkinë e Tiranës me klimën politike në vend, duke shprehur bindjen se "me rënien e Edi Ramës, do të bjerë edhe Bashkia e Tiranës". Sipas tij, vetëm atëherë kryeqyteti do të mund të "marrë frymë lirisht".
Pano:
Për sa i përket kërkesës që ne kemi bërë për shfuqizimin e vendimit, ishte një iniciativë e grupit të Partisë Demokratike, sepse kemi nevojë që Tiranën ta kthejmë në ato binare dhe në shinat e duhura. Ky titull i dhuruar më parë nga Rama në vitin 2005, unë mendoj që nuk i përfaqëson qytetarët e Tiranës dhe sidomos tani që kemi dhe aleatin tonë strategjik kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili dhe presidenti Trump e klasifikon George Soros si armik i demokracisë dhe kërkon që të hetohet në ligjin RICO, që është një ligj i vitit 1970 përsa i përket hetimit të mafies dhe grupeve të strukturuara kriminale.
Është depozituar si kërkesë nga ana ime në sekretariatin e Këshillit Bashkiak, por gjithmonë, ashtu siç ndodh gjithmonë, kërkesat e opozitës nuk pranohen dhe as nuk denjuan që ta fusnin në rendin e ditës, duke pretenduar që seanca e djeshme do të ishte pothuajse strikt për buxhetin dhe do të rishqyrtohet në seanca të ardhshme. Shiko, nuk ka një arsye specifike pse ishte në fundin e vitit. Ne këtë gjë, unë mendoj, madje jemi të vonuar, sepse këtë gjë ne duhet ta kishim bërë që në momentin që morëm mandatin tonë si këshilltarë bashkiak në vitin 2023.
Nuk mund të jemi këshilltarë të djathtë, këshilltarë konservatorë të Partisë Demokratike dhe të vazhdojmë të mbajmë George Soros-in qytetar nderi. Të paktën me aq sa ne kemi në dorë, ne do t'i biem kambanave. Dhe në fund fare grupi i Partisë Socialiste e tregoi fytyrën e vet ashtu siç e ka treguar gjithmonë. Por ne i dhamë mundësinë. Ne forcën e kartonit në Këshillin Bashkiak nuk e kemi, por ne kemi forcën e zërit dhe duke i dhënë atyre mundësinë, ata mund të bëjnë një qëndrim të qartë se në cilën anë të historisë duan të jenë. Duan të jenë në anën e mirë të historisë apo duan të vazhdojnë me të njëjtën anë të errët që kanë prej vitesh tani e prej dekadash që po vazhdojnë. Por me sa duket, vetë sekretariati dhe vetë lidershipi i Këshillit Bashkiak nuk deshi që këtë projektvendim ta çonin, madje as për votim. Ne kemi pyetje të mëdha përsa i përket legjitimitetit në Bashkinë e Tiranës.
Ne kemi katër nënkryetarë bashkie të cilët nuk e dimë se si janë emëruar në në bashki. Ne kemi zonjën Ristanin, të cilën nuk e dimë se çfarë autoriteti ka dhe të cilat seksione ajo mund të mbulojë si nënkryetare e komanduar. Kemi kërkuar shkresat, kemi kërkuar autorizimet dhe ende nuk jepet asnjë gjë. Madje kemi vënë në pyetje dhe kush i ka emëruar këta katër nënkryetarë të rinj, sepse zonja Ristani me aq sa unë jam në dijeni, nuk e ka legjitimitetin që të emërojë nënkryetarë të tjerë, pasi ajo vetë është nënkryetare. Pra, a i ka emëruar kryetari me adresë banimi në Durrës? Në qoftë se është kështu, atëherë të na vijë dokumenti. Por, për aq kohë sa ne nuk kemi informacion, atëherë jemi në një çorganizim të organizuar brenda bashkisë.
Edhe dje ndërkohë që kishim diskutime me disa struktura përsa i përket protestës së 22 dhjetorit, unë jam i sigurt 100% që me rënien e Edi Ramës do të bjerë dhe Bashkia e Tiranës. Pra do të marri frymë lirisht. Po kini parasysh që kemi të bëjmë me një buxhet mbi 400 milionë euro, të cilat janë alokuar dhe vetëm dje u kaloi projektbuxheti për vitin 2026-2028 dhe ka lloj-lloj budalliqesh, ka lloj-lloj çmundurirash.
Sepse ne kur propozojmë dhe kur ne kërkojmë amendamentet dhe kërkojmë që të shikojmë buxhetin, ne kemi nevojë të shikojmë një vizion. Ne kemi nevojë të shikojmë si do të zhvillohet Tirana, si do të bëhet Tirana më e jetueshme për të rinjtë, për familjet, për ata që duan të qëndrojnë këtu. Por realiteti është ndryshe. Sepse projektvendimet që janë kaluar në atë buxhet, janë komplet tjetër me realitetin që ne kemi.
Është për të qeshur dhe për të vënë duart në kokë kur i rrëshkiti pak nënkryetares së komanduar në detyrë tashmë. Kur tha kemi kursyer 37% nga prokurimet publike. E tha me gojën e vet që kjo, ky 37% është taksa e korrupsionit. Se pyetja është e thjeshtë, nëse për të njëjtat zëra po kursehet 37%, atëherë cila ka qenë kjo diferencë më parë? Çfarë ka qenë kjo diferencë më parë?
Që këtu e kuptojmë që ajo e tha me krenari nga nga njëra anë, po ishte një slip, ishte një rrëshkitje e vetja, që tha 37% i bie që ka qenë korrupsioni i fshehur nën kosto në vitet e mëparshme. Po biznesi, si do ta zhvillojmë ne biznesin në Shqipëri? Si do t'i zhvillojmë ne, si do t'i japim ne hapësirën familjeve në Tiranë që të kenë mundësi që të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme. Realiteti është ndryshe, Bashkia e Tiranës është një bashki gjobaxhie. A e dini, vetëm gjobat janë realizuar në mbi 180% të planit.
© SYRI.net