Çështja e delimitimit të hapësirave detare me Greqinë, një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, pritet të kalojë në Gjykatën e Hagës, por Shqipëria rrezikon të hyjë në këtë betejë ligjore e papërgatitur dhe pa një strategji të qartë e publike, duke cenuar potencialisht interesat e saj kombëtare.
Edmond Panariti, Ish-ministër i Jashtëm, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, u shpreh se qeveria Rama po e çon Shqipërinë drejt Gjykatës së Hagës pa një strategji të qartë dhe pa transparencë, duke vënë në rrezik serioz interesat kombëtare në çështjen e detit me Greqinë.
Panariti theksoi se mosformalizimi i marrëveshjeve të mëparshme, si dhe mbajtja e fshehtë e kushteve me të cilat Shqipëria do të paraqitet në Hagë, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin detar të vendit.
Pjesë nga deklarata:
Kjo është një çështje shumë e rëndësishme që duhet zgjidhur me konsistencë, transparencë dhe vendosmëri. Shqipëria duhet ta ketë të qartë se ku qëndron sovraniteti i saj mbi detin territorial dhe zonën ekskluzive ekonomike, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me vijën bazë ndarëse. Kjo është një problem që vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009 dhe ai përbën mbrojtjen më të fortë ligjore që ka Shqipëria për të kërkuar ushtrimin e sovranitetit të saj në detin territorial dhe zonën ekskluzive ekonomike.
Por ku jemi aktualisht? Praktikisht, në vitin 2020 ka pasur një marrëveshje politike midis kryeministrit Rama dhe kryeministrit Mitsotakis për ta kaluar këtë çështje në Hagë. Dhe këtu qëndron problemi: për çfarë do të shkohet në Hagë? Opinioni publik duhet ta dijë, ne duhet ta dimë, pse shkohet në Hagë dhe për çfarë. Kjo do të jetë pjesë e një dokumenti kompromisi midis dy palëve, i cili duhet patjetër të jetë transparent për Parlamentin shqiptar, Presidentin e Republikës dhe për mediat, pasi bëhet fjalë për çështje të rëndësishme të sovranitetit kombëtar të Shqipërisë.
Ju përmendët edhe nga inserti i transmetuar më herët se ka pasur bisedime konstruktive midis palës greke dhe asaj shqiptare për të akomoduar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që është akt kushtetues, me qëllim rishikimin e marrëveshjes së rrëzuar të vitit 2009 dhe ndërtimin e një marrëveshjeje të re. Si do të realizohej kjo? Nëpërmjet negociatave. Në vitin 2018 pati një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, kur ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Kotzias, dhe homologu i tij shqiptar, Bushati, u ulën dhe, përmes grupeve negociatore, arritën një rezultat shumë të rëndësishëm që në një farë mënyre iu përgjigj kushteve dhe kërkesave të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
U hodh poshtë parimi i aplikuar deri atëherë i vijës mesore dhe u vendos një metodologji e re llogaritjeje, ajo e vijave bazë, pra mbyllja e gjireve. Ujërat që ndodheshin poshtë vijës bazë ndarëse konsideroheshin ujëra të brendshme shqiptare. Kjo automatikisht çonte në rikonsiderimin e vijës bazë të detit territorial. Nga kjo marrëveshje, Shqipëria përfitonte rreth 40 kilometra katrorë sipërfaqe, të cilët i ishin privuar padrejtësisht përmes marrëveshjes së vitit 2009.
Pra, nga kjo përllogaritje, edhe falë konstruktivitetit të treguar nga pala greke në vitin 2018, u shtri vija bazë, u mbyllën gjiret, përfshirë Gjirin e Sarandës, dhe Shqipëria mori mbrapsht 40 kilometra katrorë të sipërfaqes së detit territorial që i takonin. Kjo më pas reflektohej edhe në zonat ekskluzive ekonomike, pasi këto janë të ndërlidhura.
Por çfarë ndodhi më pas? Ndodhi një ndryshim qeverie në Greqi. Fatkeqësisht, kjo dakordësi parimore nuk u formalizua dhe mbeti vetëm në nivel deklarativ, pa u shoqëruar me hapat juridikë të nevojshëm. Nga pikëpamja ligjore, ajo është nul. Në vitin 2020, qeveria pasuese në Greqi shpalli një përqasje të re, duke deklaruar se do të ushtronte të drejtën e 12 miljeve të detit territorial në Jonin verior, ndërkohë që më parë pretendonte vetëm 6 milje.
Kjo e ndërlikoi ndjeshëm situatën, pasi më pas Greqia procedoi edhe me mbylljen e gjireve dhe vendosjen e një standardi të ri matjeje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detit. Megjithatë, kjo komplikon të drejtat e Shqipërisë, pasi ngushtica mes Gjirit të Sarandës, Korfuzit dhe bregdetit kontinental grek është shumë e ngushtë dhe nuk lejon shtrirje prej 12+12 miljesh detare. Zonat mbivendosen dhe në këtë rast preket drejtpërdrejt Shqipëria, duke u cenuar edhe parimi i proporcionalitetit, që ishte vija e kuqe e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Zgjidhja kërkon kompromis, por ky kompromis mungon. Do të ishte e udhës që Shqipëria të këmbëngulte që çështja e vijës së re bazë, për të cilën është rënë dakord më herët dhe nga e cila Shqipëria përfiton 40 kilometra katrorë, të formalizohej përpara se palët të shkonin në Hagë. Kjo çështje duhet të konsiderohej e mbyllur, ndërsa në Hagë të trajtoheshin vetëm çështjet e mbetura, si zonat ekskluzive ekonomike.
Nëse kjo nuk ndodh dhe diskursi rifillon nga e para, ekziston rreziku që pala greke të insistojë në dhënien e peshës së plotë ishujve, si Korfuzi, Othonoi dhe Mathraki, në përllogaritjet detare, gjë që do të dëmtonte pozicionin shqiptar.
Prandaj, pala shqiptare duhet të përgatitet seriozisht, me një ekip juristësh të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës së detit, gjeodetë dhe ekspertë të GIS-it, duke ndërtuar një dosje të plotë dhe transparente. Shqipëria duhet të përcaktojë qartë vijën bazë, të mbyllë gjiret e saj dhe të bëjë publike pozicionin e vet, ashtu siç ka vepruar pala greke.
Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të shkojë në Hagë e përgatitur, për të mbrojtur çdo centimetër katror të pasurisë kombëtare dhe të drejtën sovrane të popullit shqiptar.
© SYRI.net