Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm është cilësuar si tërësisht antisocial dhe një instrument që do të thellojë më tej pabarazinë sociale dhe do të nxisë shpopullimin. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PL, rreth 70% e fondeve publike janë destinuar për infrastrukturën, një shifër kjo që ngre dyshime të forta për keqpërdorim dhe korrupsion, duke e kthyer buxhetin në një mekanizëm për “vjedhje”.
Gjatë një intervistë më Arnold Kariqin në Edicionin e mesditës në Syri tv ai tha se rritja e pensioneve, është një “tallje dhe fyerje” për kategorinë më të pambrojtur. Rritja reale ditore për një pensionist në qytet do të jetë vetëm 600 lekë të vjetra (60 lekë të reja), një shumë me të cilën nuk mund të blihet as një kafe, ndërsa për pensionistët në fshat, rritja do të jetë vetëm 200 lekë të vjetra në ditë. Kjo lëmoshë vjen në një kohë kur qeveria u detyrohet pensionistëve rreth 1164 euro në vit për shkak të mosindeksimit të pensioneve ndër vite. Për më tepër, çdo rritje pritet të anulohet nga inflacioni, pasi INSTAT ka paralajmëruar një rritje çmimesh prej 3% vitin e ardhshëm, ndërkohë që pensionistët shpenzojnë rreth 60% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime, të cilat në Shqipëri kushtojnë 50% më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Evropian.
Akuzat për korrupsion mbështeten në shembuj konkretë projektesh infrastrukturore pa transparencë, si rruga Qukës-Qafë Ploçë apo rruga e Velipojës, të cilat shihen si “kryevepra” të korrupsionit qeveritar. Kjo strategji e alokimit të fondeve masive në projekte të dyshimta, ndërkohë që sektorë jetikë si arsimi dhe shëndetësia lihen pas dore, shihet si një grabitje e hapur e taksave të qytetarëve.
Situata në sektorët e tjerë është po aq alarmante. Buxheti, sipas Blushit, nuk parashikon pothuajse asnjë fond shtesë për arsimin, një politikë që interpretohet si një përpjekje e qëllimshme për të nxitur largimin e të rinjve nga vendi. Ndërkohë, shëndetësia përballet me një tragjedi të heshtur, veçanërisht në spitalin onkologjik, ku pacientët me kancer humbasin jetën për shkak të pamundësisë për të blerë ilaçet. Kjo ndodh pavarësisht premtimit të qeverisë në vitin 2013 për shëndetësi falas, një premtim që sot tingëllon si një tradhti e dhimbshme për qytetarët që vdesin në spitale për mungesë medikamentesh.
Tedi Blushi: Sigurisht janë propozime të cilat synojnë që të zbutin pikërisht atë pabarazi sociale e cila vitin e ardhshëm do të thellohet së bashku me, për fat të keq, me shpopullimin, sepse kemi të bëjmë me një buxhet tërësisht antisocial, një buxhet i cili prioritet të vetin ka vetëm çuarjen e fondeve, mos gaboj rreth 70% të buxhetit të shtetit shkon vetëm për infrastrukturë, rrjedhimisht shkon për vjedhje. Sepse ne i kemi shembujt e freskët, të paktën pesë nga kryeveprat e korrupsionit të kësaj qeverie, duke filluar nga rruga e Qukës, Qafë-Plloçë, së fundmi edhe rruga e Velipojës, e inauguruar vetëm pesë muaj më parë, pa harruar aeroportin e Vlorës e të tjerë. Pra janë diçka, bëhet fjalë vetëm për projekte të cilat nuk synojnë asgjë tjetër veçse grabitjen e taksave të shqiptarëve dhe kjo faktohet me koston shumë të lartë të tyre dhe sigurisht me mungesën e transparencës. Dhe nisur nga këto arsye, pra, nga fakti që 70% e buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë, do të shkojë në infrastrukturë dhe në projekte pa transparencë, ne vlerësojmë se prioriteti kryesor dhe madhor i një qeverie duhet të jetë interesi publik dhe kalimi i këtyre fondeve në sa më shumë shërbime dinjitoze për qytetarët dhe pa diskutim në rritjen e të ardhurave të tyre dhe pa harruar uljen e kostos së jetesës.
Është një buxhet i cili për fat të keq edhe pse si kalë beteje, le të themi, ka çështjen e pensionistëve. Dua t'ju theksoj se Edi Rama u detyrua vetëm nga skandalet e fundit, të kthejë sytë nga pensionistët, por edhe pse propagandon një rritje, në fakt nuk është asgjë tjetër veçse një tallje, një fyerje dhe vijimi i përbuzjes për këtë kategori sepse rritja reale që çdo pensionist në qytet do të marrë vitin e ardhshëm do të jetë vetëm 600 lekë vjetra në ditë, as as as me shumë me të cilën as nuk mund të blesh dot asnjë kafe, ndërsa në fshat, 200 lekë të vjetra në ditë. Më thoni ju se ç'mund të bëjë një pensionist.
Arnold Kariqi: Pra 600 lekë të vjetra në ditë në qytet dhe 200 lekë në fshat?
Tedi Blushi: 600 lekë të vjetra në qytet. Më thoni ju mua se ç'mund të bëjë një pensionist me 600 lekë të vjetra rritje pensioni. 600 lekë të vjetra në ditë. Tallje, fyerje dhe poshtërim.
Pa harruar faktin se kjo qeveri u detyrohet pensionistëve jo pak, 1164 euro në vit për shkak të mosindeksimit të pensioneve dhe pa harruar faktin që vitin e ardhshëm kjo rritje prej 600 lekë të vjetra në qytet dhe 200 lekë të vjetra në fshat, mos harrojmë do të shoqërohet me një rritje tjetër abuzive të çmimeve, të paralajmëruar së fundmi edhe nga INSTAT, me 3%. Pra, Edi Rama do të rrisë me 600 lekë pensionet, ndërkohë çmimet vitin e ardhshëm do të rriten 3% më shumë se aktualisht dhe pa harruar faktin që sot një pensionist paguan rreth 60% të pensionit të tij, e shpenzon vetëm për ushqime. Dhe ushqime të cilat sot një pensionist shqiptar i ble të paktën 50% më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Evropian.
Janë këto arsyet, pa harruar faktin që niveli i arsimit lë për të dëshiruar, se jo më kot qeveria nuk financon arsimin sepse i urren të rinjtë dhe kërkon që ata të largohen sërish edhe vitin e ardhshëm nga vendi. Një buxhet i cili ka parashikuar pothuajse zero rritje apo shtesë fondesh për shëndetësinë, duke patur parasysh vetëm faktin, tragjedinë, në kufijtë e një krimi kundër njerëzimit që ndodh çdo ditë tek spitali onkologjik, ku të sëmurët me kancer humbin jetën vetëm sepse nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet dhe se ky shtet dhe kjo qeveri, që në vitin 2013 u premtoi shëndetësinë falas, sot i lë të vdesin në spitale vetëm për mungesë ilaçesh.
Sigurisht kemi kërkuar dhe propozuar zyrtarisht edhe amendamente sa i përket çështjes së rritjes së buxhetimit për kërkimin shkencor, për zgjidhjen e çështjes së stokut të dosjeve të krijuara në gjykatë. Mos harrojmë që një nga dështimet më të mëdha të reformës në drejtësi është arritja e stokut prej të paktën rreth 200.000 dosje të cilat duhet të shqyrtohen dhe nuk janë marrë ende në shqyrtim nga gjykatat…
© SYRI.net