Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në studio e lajmeve në Syri TV denoncoi shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe trajtim çnjerëzor ndaj kreut të saj, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej një viti.
Xhixho u mbështet në një raport të Avokatit të Popullit, ku sipas të cilit, Metës po i mohohen të drejtat themelore, përfshirë takimet dhe komunikimin. Ajo theksoi se për një lider politik si Meta, takimet dhe komunikimi janë të domosdoshme për të garantuar transparencën dhe për të mbrojtur parimin e prezumimit të pafajësisë, veçanërisht pasi hetimet kanë përfunduar dhe ai është në një fazë para gjyqësore.
Deputetja Xhixho e cilësoi trajtimin e Metës në paraburgim si “antiligjor” dhe “çnjerëzor”, duke denoncuar bllokimin e takimeve me deputetë, eurodeputetë dhe anëtarë të Partisë së Lirisë, që ndodhin për shkak të një urdhri politik nga kryeministri Rama. Ajo i referohet një standardi të dyfishtë të drejtësisë, duke vënë në kontrast rrethimin e Metës, një lider pa funksion publik, me situatën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila, edhe pse e pandehur për korrupsion, vazhdon të mbajë pozita në qeveri.
Xhixho paralajmëroi se çështja do të dërgohet në Gjykatën e Strasburgut për të përballuar shkeljet e drejtësisë, duke theksuar se ky është një moment kyç për të testuar pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Pjesë nga deklarata:
Është një raport shumë i detajuar, dhe është raporti i dytë. Raporti i parë kishte të bënte me paligjshmërinë e arrestimit të zotit Meta. Pra, ai fakton të gjitha ato që ne kemi thënë për faktin që u rrëmbye në mes të ditës, nga policë pa mjete identifikuese, pa u dhënë vendimi i gjykatës, dhe të tjera. Ky raport evidenton atë që ne e themi çdo ditë, faktin që trajtimi në paraburgim është absolutisht çnjerëzor. Raporti i Avokatit të Popullit evidenton minimumin e standardeve të takimeve të një të paraburgosuri, dhe ky është një precedent për çdo qytetar, jo vetëm për zotin Meta. Ky është një raport që do t’i shërbejë të gjithë të paraburgosurve dhe të drejtave të njeriut. Së pari, është minimumi që ka vënë ligji: katër takime në muaj, pra minimumi, çka do të thotë që në situatën e zotit Meta, që është një lider politik dhe ka marrëdhënie familjare, flasim për paraburgim ku prezumimi i pafajësisë është një parim shumë i rëndësishëm. Lirshmëria që duhet të ndodhë në paraburgim duhet të jetë më e madhe, dhe takimet e tij duhet të jenë shumë më të shpeshta.
Së pari, është antiligjore, thotë Avokati i Popullit. Së dyti, deputetët, eurodeputetët, ne që kemi kërkuar ta takojmë zotin Meta, jemi ndaluar në mënyrë të paligjshme, sepse statusi i deputetit të thotë që ti nuk ke nevojë për autorizim nga sistemi i prokurorisë. Edhe pse ne e kemi kërkuar këtë nga prokuroria, dhe vetë prokurori Altin Dumani ka thënë që deputetët nuk kanë nevojë për autorizim të prokurorit, sepse janë deputetë dhe kanë të drejtën ta takojnë. Drejtoria e Burgjeve, që padyshim është një urdhër politik i Edi Ramës, i ka ndaluar këto takime. Jo vetëm ne, por të gjithë kupolën drejtuese të Partisë së Lirisë, dhe kjo evidentohet edhe në raportin e Avokatit të Popullit si një shkelje. Gjithashtu, edhe komunikimi i tij me mediat. Duke qenë se është një lider politik, dhe duke qenë se transparenca, thotë Avokati i Popullit, është shumë e rëndësishme në këtë moment, padyshim që është një e drejtë e tij për të pasur komunikim me mediat, po ashtu edhe komunikimet telefonike, që janë minimizuar, qoftë me sekretarin e përgjithshëm, qoftë me të gjithë ne të tjerët që nuk lejohemi të komunikojmë.
Pra, është një raport shumë realist që evidenton shkelje të mëdha, por që padyshim, unë nuk pres asgjë nga kjo drejtësi, as nga ky drejtor i burgjeve, që veprojnë në mënyrë të paligjshme. Kjo çështje do të shkojë në Strasburg dhe, absolutisht, aty do të rrënohen të gjitha këto shkelje ndaj zotit Meta. Por më duhet të them se i gjithë procesi politik ndaj zotit Meta, jo vetëm që është politik, por ka një analogji të qartë sot.
Kemi zv/kryeministren ende në detyrë, e pandehur, me plotfuqishmëri për të prishur prova, për të intimiduar dëshmitarë, e të tjera me radhë. Dhe nga ana tjetër kemi zotin Meta, që është izoluar, pa asnjë funksion publik, dhe që është paraqitur sa herë ka kërkuar drejtësia përpara organeve të drejtësisë, pa asnjë mundësi për të intimiduar dëshmitarë apo për të prishur prova. Ai ngelet sot, që flasim, edhe pse faza e hetimeve ka përfunduar, dhe jemi në seancë paraprake, edhe pse është bërë një vit dhe ai është i izoluar në ekstrem. Përsëri, vendoset që ai të mos ketë masa më të lehta dhe të lirohet.
Tani, kemi dhe rastin e Sarkozisë, që është më flagranti, dhe që tregon në fakt standardin europian se ku është drejtësia europiane që vlen me forcën e ligjit dhe ku respekton Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ai u hetua në liri, u gjykua në liri, shkoi të vuajë dënimin me gjithë solemnitetin që i takon një zyrtari të lartë dhe u lirua përsëri nga gjykata.
© SYRI.net