Shqipëria pritet të shndërrohet në kamp masiv për pritjen e emigrantëve të huaj nga vendet e Azisë.
Këtë e ka konfirmuar Agjencia për Qeverisjen Vendore, ku së fundi është miratuar një projektvendim që parashikon ngritjen e 20 qendrave pritëse për emigrantët.
Këto qendra do të strehojnë emigratë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë dhe Serbinë si rrugë kalimi drejt Greqisë.
Qendrat do të vendosen në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës, me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtretër, raporton revista ekonomike Monitor.
Në Bashkinë Korçë është identifikuar fshati Floq në Njësinë Administrative Mollaj, në ambientet e ish-TAP.
Në Bashkinë Pogradec krijohen mundësi për ngritjen e qendrave me kapacitet të konsiderueshëm.
Në Bashkinë Devoll, hapësirat e qytetit Bilisht dhe të fshatit Bitinckë ofrojnë gjithsej mbi 11.500 m², duke e bërë këtë bashki një nyje të rëndësishme pritjeje.
Bashkia Kolonjë ofron gjithashtu hapësira strategjike.
Në Bashkinë Maliq parashikohet shfrytëzimi i ish-depove të Rezervave Shtetërore në Lozhan,
Në Bashkinë Pustec janë evidentuar tre hapësira: Njësia Zaroshkë, fusha sportive e Pustecit dhe fusha sportive e Goricës së Vogël. Në total, qarku Korçë përfshin të paktën 10 pika akomodimi emergjent.
Në qarkun e Gjirokastrës, fokusi është vendosur mbi rikonfigurimin e strukturave ekzistuese, kryesisht ish-Rezervat Shtetërore, të cilat kanë treguar funksionalitet gjatë krizës së vitit 1999.
Në Bashkinë Memaliaj, pranë Stadiumit “Karafil Çaushi”, është parashikuar vendosja e strukturave të përkohshme.
Në Bashkinë Përmet janë evidentuar spitali i qytetit dhe konviktet, që mund të akomodojnë deri në 102 shtretër. Në këtë qark parashikohen të paktën tre pika të rëndësishme pritjeje, të cilat mund të shtohen në varësi të vlerësimeve të infrastrukturës.
Në qarkun e Vlorës është parashikuar një shpërndarje më e gjerë e kapaciteteve. Në Bashkinë Vlorë janë identifikuar disa hapësira kryesore: konviktet e “Qytezës së Studentit” dhe të Shkollës Industriale, si dhe objekte që mund të përshtaten për akomodim si Pallati i Sportit “Flamurtari”, Shkolla e Marinës dhe zyrat e Njësisë Administrative Novoselë. Secila prej këtyre hapësirave ka kapacitet deri në 300 persona, duke e kthyer qytetin e Vlorës në një qendër kryesore pritjeje.
Në Bashkinë Selenicë, fshati Peshkopi ofron një terren me kapacitet deri në 250 persona.
Në Bashkinë Delvinë është identifikuar stadiumi i qytetit. Në Himarë janë parashikuar stadiumi dhe ambientet e shkollave publike, ndërkohë që vijon procesi i vlerësimit për hapësira të tjera. Në Bashkinë Konispol, tre shkolla dhe Qendra Komunitare në Mursi ofrojnë një kapacitet total prej rreth 410 personash.


© SYRI.net