Thirrja e deputetit të PD në Kuvend: Të ndalojmë shitjen e fotoksinës, po merr jetë njerëzish çdo ditë...

16:43, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fjalën e tij në seancën e Kuvendit, deputeti Tritan Shehu ngriti edhe një herë alarmimin e tij lidhur me përdorimin dhe qarkullimin e fotoksinës në Shqipëri.

Duke e konsideruar këtë çështje si çështje jete a vdekjeje, ai denoncoi mungesën e masave nga institucionet shtetërore dhe kërkoi ndërhyrje urgjente të parlamentit për ta ndaluar këtë substancë vdekjeprurëse, e cila prej vitesh lidhet me dhjetëra raste tragjike vetëvrasjesh, veçanërisht tek të rinjtë.

Tritan Shehu: Ndoshta në fillim mund të duket jo brenda procedurës, por unë mendoj që është një gjë shumë e rëndësishme sepse ka të bëjë me jetën ose vdekjen. Kaq e rëndësishme është. Sot, një adoleshent ka ndërruar jetë në Elbasan, sepse ka marrë për suicid fotoksinën. E kam ngritur 100 herë zoti ministër, dhe kur ju keni qenë ministër i bujqësisë, që ajo substancë kaq toksike, vdekjeprurëse, ndjellëse e vetëvrasjeve nga ana psikologjike, të hiqet nga farmakopeja bujqësore. Të ndalohet siç është bërë në shumicën dërrmuese të vendeve të botës, ku realisht është hequr, ose atje ku përdoret, përdoret me masa sigurie të plota dhe jo të shitet nëpër rrugë, nëpër kjoska, duke ngjallur dëshirën, duke shtuar atë dëshirën për vetëvrasje të rinjve.

Është krim me gjithë mend shkrim. Unë e di që këtu lëvizin miliona, ka një element korruptiv të madh që e mban akoma fotoksinën në farmakopenë bujqësore shqiptare. Dhe është turp për ne kjo gjë. Kur e paguajnë çdo vit me dhjetëra e dhjetëra të rinj dhe njerëz me jetën e tyre. A do ta bëjmë këtë gjë? Unë mendoj se duhet ta bëjmë. Duhet të dalim me një vendim ky parlament. Unë e ngrita dhe gjatë buxhetit, në komision këtë çështje, që të hiqet fotoksina, të shpallet e ndaluar, të hiqet nga farmakopeja. Asnjë gjë. Heshtje e plotë. Nga të gjithë dikasterët, nga të gjitha institucionet shqiptare. Pra unë mendoj dhe kërkoj, të sensibilizoj këtë parlament, këta deputetë të nderuar që janë këtu, që unë besoj se e ndjejnë në mënyrë që të marrin një vendim të plotë.

Ta zëvendësojmë me të tjerë. Substanca që ka të tjera plot, jo të dëmshme, jo të tilla vdekjeprurëse. Sepse është krijuar një lidhje psikologjike, jo vetëm në Shqipëri, kjo ka ndodhur dhe në vende të tjera të botës, midis fotoksinës dhe vetëvrasjes. Dhe ai që e merr, ta dini mirë këtë gjë, nuk ka kthim mbrapa. Nuk ka kthim mbrapa. Ka përpara vetëm një rrugë, një vdekje shumë të llahtarshme. Ja u them shumë sinqerisht këtë punë, këtë gjë. Prandaj unë kërkoj involvimin e parlamentit në një vendim të plotë, të qartë, si ashtu siç kanë bërë parlamentet dhe vendet e tjera. Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco