I ftuar në emisionin “Task Force” në Syri TV, kryeredaktori i televizionit, Romir Saraçi, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me tunelin e Llogarasë dhe çështjen e inceneratorëve, duke theksuar se kreu i qeverisë po përpiqet të distancohet nga përgjegjësitë dhe t’ia faturojë ato zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Saraçit, krahasimi që Rama bëri mes kostos së tunelit të Llogarasë dhe shifrave të inceneratorëve, nënkuptoi se përgjegjëse për “50 milionëshin” e tunelit është Balluku, ndërsa ai vetë po largohet nga çdo lidhje me këtë çështje. Ai rikujtoi se për aferën e inceneratorëve, ku sipas tij dhe vendimmarrjeve të SPAK-u janë konstatuar shkelje, ka persona të arrestuar e të dënuar, mes tyre ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë.
“Sot kryeministri u duk sikur pranoi se inceneratorët ishin aferë, por la të kuptohej se ‘kumbullat dhe dardhat’ pas kurrizit të tij i kanë ngrënë të tjerë,” u shpreh Saraçi, duke shtuar se Rama la përshtypjen se edhe në çështjen e tunelit të Llogarasë fajin po e zhvendos te Balluku.
Nga ana tjetër, Saraçi komentoi edhe deklaratat e sotme të Belinda Ballukut, të cilat sipas tij përmbanin një “kërcënim të drejtpërdrejtë” ndaj SPAK-ut, por edhe një mesazh të nënkuptuar ndaj vetë kryeministrit. Balluku theksoi se SPAK dhe reforma në drejtësi ekzistojnë falë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, duke i lidhur veprimet e organit të akuzës me zhvillimet e brendshme politike.
Në përfundim, Saraçi deklaroi se nga qëndrimet publike të ditës, “Edi Rama u duk qartë që e lëshoi” Ballukun, duke i faturuar asaj përgjegjësitë në hetimet që po zhvillohen.
Saraçi:
Për mua, Edi Rama sot, domethënë me krahasimin që i bëri 50 milionëshit të tunelit të Llogarasë me 450 milionëshin e inceneratorit, la të nënkuptohej që fajtore për 50 milionëshin e inceneratorit është Belinda Balluku dhe jo ai. Pra, bëri një lloj distancimi personal dhe i faturoi Belinda Ballukut abuzimin 50 milionë euro të tunelit të Llogarasë. Sepse që 450 milionë euro, në mos 450, 60 janë djegur deri tani nga inceneratori i, mos gaboj 60 milionë euro nga inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston e miliona të tjera në inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, janë të konfirmuara që është aferë korruptive, nuk ka as edhe një lloj diskutimi sepse këtë i ka, këto i ka konfirmuar edhe SPAK.
Pra, kemi të bëjë me një aferë korruptive dhe ka të dënuar, ka një ish-ministër, një deputet, sekretar edhe drejtorë të tjerë ministrish janë të arrestuar dhe të dënuar për këtë. Pra, sot kryeministri deklaroi që inceneratori ishte aferë, por ishin kumbulla dhe dardha mbas kurrizit tim, për të cilat SPAK i zbuloi dhe tuneli i Llogarasë janë po prapë kumbulla dhe dardha, 50 milionëshi, të ngrëna pas kurrizit tim dhe ju e morët vesh sepse SPAK po bën punën dhe po vepron, duke sulmuar opozitën.
Pra, sipas kryeministrit, drejtësia sot veproi dhe po heton tunelin e Llogarasë, por në fakt nuk është ai, sipas kryeministrit, por është Belinda Balluku që ka ngrënë kumbulla dhe dardhë, me krahasimin që i bëri. Nga ana tjetër këtë e përforcon edhe qëndrimi i Belinda Ballukut. Belinda Balluku bëri një tjetër kërcënim sot edhe ndaj SPAK-ut, por dhe ndaj Edi Ramës.
Belinda Balluku sot kërcënoi drejtpërsëdrejti SPAK. Kur i tha që, reforma në drejtësi është aty ku është dhe SPAK është aty ku është falë Edi Ramës, duke i faturuar Edi Ramës lëvizjet që bën SPAK kundër saj, por nga ana tjetër të lëshojë kërcënime të drejtpërdrejta karshi prokurorëve të SPAK, duke thënë që, shiko, reforma në drejtësi u bë falë vullnetit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste ku gjithësecili ka fjalën e vet, por ju keni ca probleme të cilat do të rregullohen me kalimin e kohës.
Kush janë problemet për Belinda Ballukun për kalimin e kohës? Se nuk besoj se janë probleme që ka shkaktuar ndaj Erion Veliaj. Por problemet normalisht janë ato problemet të cilat sot ka Belinda Balluku, dhe po sipas Belinda Ballukut, po sulmohet për shkak të punëve të mira dhe suksesit, suksesit të saj. Pra, këto janë probleme. Pra Edi Rama u duk qartë që e lëshoi.
© SYRI.net