I ftuar në emisionin “Task Force” të Sonila Meços, gazetari Andi Tela deklaroi se ngjarjet e 21 janarit vazhdojnë të përdoren kryesisht si mjet retorik në politikën shqiptare, ndërsa nga pikëpamja gjyqësore çështja është konsideruar prej kohësh e mbyllur.
Sipas Telës, hetimet dhe proceset gjyqësore që pasuan ngjarjen tragjike ku u vranë katër protestues në bulevard, identifikuan dhe dënuan aq fajtorë sa arritën të gjenin provat e kohës. Megjithatë, përfundimi i proceseve nuk ndaloi përdorimin politik të 21 janarit.
“Që nga dita e ngjarjes e deri më sot, 21 janari ka shërbyer më tepër si armë politike. Politika e ka artikuluar çdo vit, por edhe sa herë që është parë e nevojshme,” – u shpreh Tela, duke theksuar se kreu i PD , Sali Berisha, pavarësisht temave që hapte kundër mazhorancës, vazhdimisht përballej me rikthimin te 21 janari.
Gazetari komentoi gjithashtu perceptimet publike se reforma në drejtësi dhe ngritja e SPAK-ut u panë si mundësia e vetme për të rihapur çështjen, pasi më herët hetimi konsiderohej i pamundur. Ai kujtoi se prokurori që mori dosjen pas reformës arriti në përfundimin se nuk kishte prova për të vijuar hetimet ndaj asnjë prej drejtuesve politikë të kohës.
“Tani, me urdhër të gjykatës për ta rihapur çështjen, është pikërisht i njëjti prokuror që duhet ta hetojë sërish. Çfarë mund të presim? Ai vetë ka deklaruar se nuk ka prova. Nuk mund të shpikë prova të reja,” – tha Tela, duke nënvizuar se edhe ky proces do të vazhdojë të ketë më shumë dimension politik sesa juridik.
Më tej Tela theksoi se gjasat janë që çështja të mos prodhojë një të vërtetë të re për ngjarjen e 21 janarit: “Nuk do ketë një përgjigje të qartë për atë që ka ndodhur, përveç nëse shfaqet ndonjë dëshmi e re, por edhe ajo mbetet në kuadrin e ‘më thanë – i thashë’. Personazhe në ngjarje kanë qenë ministri i atëhershëm i Brendshëm Lulzim Basha, prokurorja e çështjes, presidenti Bamir Topi. Por gjithçka mbetet në kufijtë e dëshmive. Fakt është se katër njerëz u vranë në bulevard.”
Tela:
Domethënë kjo çështja e 21 janarit, që nga dita që ka ndodhur e deri më sot, vazhdon dhe përdoret vetëm si retorikë politike. Si çështje, themi gjyqësore, ajo është hetuar, është gjykuar, ka nxjerrë fajtorët, aq sa ka gjetur fajtorë, dhe u konsiderua e mbyllur. Nga momenti që përfundoi gjykimi, vijoi më tepër me retorikën politike.
Pra ato shfaqjet e 21 janarit në bulevard, hetime, hetimet që nuk zhvilloheshin, politika që vazhdonte dhe e artikulonte çdo 21 janar, por edhe në momentin që e shikonte të nevojshme. Gjithmonë zotit Berisha, sado që hapte një çështje ndaj mazhorancës, i ktheheshin, kujto 21 janarin, çfarë ke bërë ti më 21 janar.
Dhe erdhëm në një moment që SPAK-u, disa artikulojnë edhe faktin që reforma në drejtësi dhe SPAK-u u ndërtua thjesht edhe për të hetuar 21 janarin, sepse ishte e pamundur që të hetohej. Pra ky ishte argumenti pse, pse u ngrit SPAK-u. Edhe pse do dështonte SPAK-u nëse nuk do hetonte. Prokurori që mori çështjen dhe pa të gjithë letrat e pa që nuk kishte prova për të hetuar as Edi Ramën, as Sali Berishën apo liderët e tjerë dhe e dorëzoi çështjen.
Tani gjykata urdhëron që të hetohet përsëri dhe është po i njëjti prokuror që e ka çështjen. Pra çfarë prisni ju që i njëjti prokuror që është i bindur që atje s'ka prova dhe s'kam çfarë të nxjerr, t'i thonë thellohu atje dhe të nxjerrësh diçka? E ka të pamundur.
Kështu që ajo gjëja do jetë, do vazhdojë prapë një betejë politike. Parada e zotit Berisha shkon atje, ndoshta mund të jetë dhe një paradë e zotit Rama, në SPAK apo mund t'i shkojë në zyrë për ta marrë në pyetje.
Por në fund të ditës, nuk ka për të pasur një përgjigje të qartë se çfarë ka ndodhur në 21 janar, përveçse nëse do kenë ndonjë dëshmi, por prapë dhe ajo ngelet në kuadrin e një dëshmie, e i thashë, më thanë.
Pra, personazh atje ka qenë ish-ministri i Brendshëm zoti Basha, personazh ka qenë prokurorja, ka qenë presidenti Topi, por kjo do ngelet në kuadrin më thatë, thanë. U vranë katër njerëz në bulevard.
© SYRI.net