Ne foltoren e Kuvendit, Eno Bozdo, deputet i PD, u shpreh se qeveria po çon përpara politika që godasin prodhimin dhe favorizojnë oligarkinë, duke denoncuar “paqen fiskale” si një mekanizëm që u jep bizneseve evazioniste imunitet trevjeçar dhe ua hap derën manipulimeve kontabël, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Bozdo akuzoi gjithashtu se skema e re e TVSH-së për fermerët është një mashtrim që dëmton prodhuesit vendas dhe i jep avantazh importit, një shqetësim i ngritur edhe nga vetë industrisë përpunuese.
Ai paralajmëroi se politika të tilla po e zhvendosin vendin drejt një ekonomie të mbështetur vetëm te shërbimet dhe paratë e pista, duke e quajtur këtë një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë dhe një “tragjedi” që mund të çojë në zhdukjen e prodhimit bujqësor e industrial.
Fjala e plotë:
Fjalën time dua të përqëndrohem veçanërisht tek paketa fiskale që mendoj, jo vetëm nuk ka marrë vëmendjen dhe interesin e duhur nga kuvendi, por është përdorur dhe për propagandë për t'i thënë shqiptarëve atë që në fakt nuk ekziston. Paketa fiskale ka elementë të faljes, ka elementë të shuarjes së detyrimeve, ka elementë edhe të faljes së precedentit penal. Është një amnisti e plotë që me një të rëndë të lapsit heq 2 miliardë detyrime të sektorit privat ndaj buxhetit të shtetit, taksapaguesve shqiptarë. Në një pjesë të saj në projektligjin për faljet, praktikisht u falen bizneseve një shumë të jashtëzakonshme. 2 miliardë euro besoj secili nga ne e kuantifikon fare mirë se çfarë do të thotë për ekonominë e Shqipërisë, dhe veçanërisht për të ardhurat që mund të investohen në infrastrukturë, spitale, shkolla. Kërkesës tonë nëse këto të ardhura janë apo jo të rikuperueshme, nuk morën përgjigje nga institucioni dhe Ministri i Financave. Dhe këtu pastaj lidhet edhe me atë që ka gjetur kontrolli i lartë i shtetit në raportin vjetor të vitit 2024. I cili raporton që këto para, që për këto para të dy institucionet kryesore që i kanë krijuar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, kanë bërë pak apo aspak për t'i rikuperuar.
Me një rikuperim në rastin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vetëm 1.2% duke lënë detyrë të shumëfishohen përpjekjet për t'i rikuperuar këto borxhe. Dhe shumëfishimin e përpjekjeve ne e shohim sot në formën e projektligjit që tenton t'i falë të tëra. Ajo çka e bën më përveluese situatën është se sipas kontrollit të lartë të shtetit, raportit për vitin 2024, në vitin 2023, që qëllon të jetë vit elektoral, 400 milionë euro nuk janë mbledhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Këto falen të gjitha sot përsëri me një të rëndë të lapsit. Dhe mirë s'i falim. Po kush është mesazhi që i japim komunitetit të biznesit? Të atyre që paguajnë taksa dhe tatime, që janë të ndershëm, që herë pas here vënë dhe pronën e tyre kolateral për të qenë në rregull me shtetin. Mesazhi që ju japim është mos paguani më, sepse një herë në katër apo pesë apo gjashtë vite do vijë gjithmonë amnistia e radhës dhe ju do t'ia hidhni. Nuk ka çmotivim më të madh dhe nuk ka vendosje më të keqe të këtij projektligji në kuadër të barazisë sociale dhe drejtësisë sociale. Ky projektligj për faljen duhet të kishte involvuar në mënyrë absolute komunitetin e biznesit. Dhe nuk mundet dot që t'i vijë parlamentit, Kuvendit të Shqipërisë ditën e premte dhe të kërkohet që të hënën me shpejtësi absolute të kalojë në komisionin përgjegjës që është dhe komisioni i ekonomi-financave, pa ju nënshtruar një debati vërtetë edhe teknik, por edhe moral, se jemi duke shkelur mbi ata që e duan shtetin, respektojnë shtetin, që me taksën, me taksat e tyre ndihmojnë shqiptarët. Jemi duke shkelur mbi ata që vërtetë janë të ndershëm.
Ka një element tjetër pastaj, që quhet projektligji për paqen fiskale, i cili propozon një mekanizëm shumë interesant, i pahasur ndonjëherë më parë. U thotë bizneseve deklaroni 18% më shumë të fitimit se vitin e kaluar dhe për mua jeni okay, jeni dakord. Dhe për çdo pikë fitimi më shumë, supozojmë se një biznes do të fitojë 19, 20, 30% deri në 50%, unë nuk do të tatoj ty me normën që takojnë bizneset e tjerë, por e reduktoj normën e tatimit me 5%. I ngrita një çështje ministrit të Financave duke i thënë, a e dini që industri shumë të rëndësishme si ajo e ndërtimit luajnë fare mirë me çështjet e bilancit të tyre, se e kanë pothuajse të pamundur të kontrollohen kush paguan për ndërtimet dhe kur paguan për apartamentet apo ndërtesat. E përsëri nuk mora një përgjigje. Dhe nuk po flas këtu për një industri që kontribuon pak. Është një industri që kontribuon 40% në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të vendit dhe është një dy, një ndër dy kuajt e betejës që qeveria ka vendosur bastin për rritje ekonomike 4%. Pra, ka dhe një element tjetër. Çfarë i kërkohet këtyre kompanive dhe çfarë i lejohet këtyre kompanive që duhet të hyjnë në një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve? U thuhet një gjë shumë interesante. Ti që hyn në marrëveshje me mua, ti ke mundësi të shikosh bizneset e tua, ëh, të shikosh librat e tu kontabël në mënyrë retroaktive, tre vite më parë, dhe të ndryshosh gjithçka aty, pa të hyrë gjëmb në këmbë. Madje audituesit financiar, audituesit kontabël që kanë përgatitur këto shifra me kërkesën tënde, e bëhet fjalë për evazion të pastër. Këtyre i shmang nga çdo ndjekje penale. E pra, a është drejtësi kjo?
A mund të flasim ne sot për drejtësi dhe barazi sociale për dy grupet e biznesit? Të njërës që t'i fal dhe të tjetrit që i trajton sikur të mos ekzistojnë. Nuk më duket se kjo paketë fiskale përmbush edhe edhe kriterin teknik, por nuk më duket që mbi të gjitha përmbush kriterin e moralit, e moralit të biznesit, të trajtimit të barabartë të tij përballë shoqërisë shqiptare. Ka një projektligj tjetër që kryeministri e preku, ministri e ka prekur disa herë, që ka lidhje me atë që këta e quajnë kreditim të TVSH-së. Të nderuar zonja dhe zotërinj, nuk bëhet fjalë për kreditim të TVSH-së. Nuk bëhet fjalë as t'i rikthejmë TVSH-në fermerit. Bëhet fjalë vetëm për një formë kompensimi të fermerit. Dhe efekti që propogandohet të formalizimit të tregut bujqësor, në mënyrë absolute do ta shikoni, nuk ka për të ndodhur. Do të përfitojnë ata që shesin te eksportuesi, sepse TVSH-ja me hyrje dhe dalje është zero. Për ata që do shesin te grosistët, nuk do preferohet prodhimi vendas, por do preferohet përsëri prodhimi i importit.
Shikoni, mjafton të lexoni se çfarë thotë shoqata e përpunuesve të qumështit, që kërkon që minimalisht niveli të jetë i barabartë. Jo 10% dhe 20%, por 20% dhe 20% ose 10% dhe 10%. Shikoni se çfarë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, dy vjet më parë dhe një shoqatë tjetër, sindikata e fermerëve të Bashkuar, që e sqaron shumë mirë që kjo skemë nuk zgjidh asgjë. Dhe modeli evropian të cilit ne i jemi referuar, e kopjojmë vetëm për gjysëm. E kopjojmë vetëm për atë pjesë të fermerëve që nuk janë të detyruar të mbajnë libra kontabël, që përjashtohen nga TVSH-ja dhe në vendet e Bashkimit Europian siç është Italia dhe Greqia. E pra nuk zgjidhim, nuk e zgjidhim këtë problem. Dua të flas diçka tani për projektbuxhetin dhe se si ai reflekton në qarkun ku unë jam votuar dhe mbroj interesat e qytetarëve të saj, Beratin. Është një rrugë që është rrugë kryesore e qarkut. Shpresoj, mendoj, secili nga ju e ka kaluar një herë në jetë. Rruga që lidh Beratin, Poliçanin dhe Skraparin, bashkinë e Çorovodës. Është e vetmja rrugë në Republikë, të nderuar, e cila ka qenë më mirë në gjendje teknike të saj, më e asfaltuar, brenda gjithë kritereve teknike të kohës, në vitin 1990 nga ç'është tani. E pra, është një zonë e cila meriton respekt. Ka njerëz të ndershëm dhe punëtorë.
Për të mos folur pastaj për rrugët dytësore dhe tercore që lidhin qendrat e qyteteve me komunat dhe me fshatrat, me ish-komunat dhe fshatrat e ish-komunave. 90% e tyre kanë ngelur në vitin, investimet e viteve '12-'13. Janë lidhur qendrat e qyteteve me qendrat e njësive administrative, ish-komunat dhe nuk ka më investime të tjera. Për të mos folur pastaj për ndihmë, subvencionime për fermerët e kësaj zone. Janë fermerët e Dimalit, janë fermerët e Kuçovës, janë ato të Poliçanit, Skraparit. Janë fermerë që kultivojnë ullirin, që kultivojnë shegën, fruta perime. Janë fermerë që rrisin, janë blegtorë. Dhe prodhimi ta dini, blegtoria është në rënien më të shpejtë, më të frikshme në këto 50 vite. Sasia e krerëve në zonat ku unë ushtroj aktivitetin tim dhe përfaqësoj, kanë rënë minimalisht 50%. Ka raste të caktuara kanë rënë 75%. Kjo është një ndër shkaqet më të mëdha të braktisjes së atyre zonave dhe të emigrimit masiv jashtë Shqipërisë. Për këta nuk kujtohet askush. Kujtohen vetëm një herë në katër vite kur në një mënyrë apo në një tjetër, me pushtet vendor, pa pushtet vendor, me administratë, me polici, me grupe të armatosura, me para, tentojnë t'jua marrin votën dhe jua marrin votën për fat të keq. Se kështu është katandisur gjëja. Për të mos folur pastaj për prodhimin bujqësor. Më gjeni një pikë të vetme në buxhetin, në buxhetimin dhe prioritetet e qeverisë të këtij viti që ndihmon prodhimin, prodhimin e vërtetë bujqësor.
Një pikë të vetme. Një linjë, një fjali të vetme që njihet si problem edhe që qeveria vendos ta financojë. Nuk ka. Jemi duke u kthyer, jo për kapriçot e tregjeve botërore, as për fakt se kështu është zhvilluar ekonomia, po ne po kthehemi nga një vend që ka qenë me atë nivel prodhimi që ka qenë, me industri përpunuese, nxjerrëse, ekstraktuese, në një vend të orientuar totalisht drejt shërbimeve. Dhe kjo është kthesa më e madhe, tragjedia më e madhe që po i gjen ekonominë e Shqipërisë. Ata që s'e kuptojnë, bëjnë mirë të hapin sytë e të dëgjojnë. Pas 10 vitesh nuk do ketë më prodhim. Dhe pas 10 vitesh kur fluksi i parave të pista të jetë mbyllur, shpresojmë të mbyllet më shpejt, të jeni të sigurtë që distanca midis euros dhe lekut shqiptar do kthehet në të kundërt. Dhe i gjithë ky vend do përfundojë keq. Ekonomia shqiptare do ketë sfidën më të madhe. Ju faleminderit.
© SYRI.net