SYRI TV
Zv. kryeministrja Belinda Balluku ka lëshuar kërcënime për prokurorët e SPAK nga foltorja e Parlamentit, teksa mori fjalën për Buxhetin 2026. Duke e cilësuar si një institucion që ekziston falë vullnetit të Edi Ramës, Balluku u shpreh se SPAK ka problemet e veta, por që do rregullohen me kalimin e kohës. Sipas Ballukut marrja e saj e pandehur vjen si pasojë e xhelozisë nga punët e mira që ajo ka bërë.
Pas mbrojtjes që kryeministri Edi Rama i bëri Belinda Ballukut në Kuvend, për aferën 50 milionë euro, situata u tensionua në parlament me marrjen e fjalës nga zv. kryeministrja Balluku. Deputetët e opozitës i kërkuan zëvendëskryeministres që fjalën e saj ta mbaj në SPAK për të dhënë llogari për aferën e Tunelit të Llogarasë e në shenjë proteste braktisën sallën.
Belinda Balluku përdori sallën e Kuvendit për të kërcënuar SPAK, duke e cilësuar si institucion të ndërtuar me vullnetin e Edi Ramës, por që ka problemet e veta, referuar këtu hetimit të saj për aferat korruptive.
Zv. kryeministrja Belinda Balluku shkoi edhe më tej. Duke iu adresuar opozitës, për një hetim që po e bën SPAK, Balluku u shpreh se këto janë sulme që I bëhen asaj për punët e mira që ka bërë.
Pasi Belinda Balluku përfundoi parantezën për hetimet që po kryen ndaj saj për korrupsionin e Llogarasë, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla me shenjë nga vendit, kërkoi nga Niko Peleshi mbylljen e seancës, pasi deputeti Agron Shehaj po fliste nga vendi.
Pas këtyre urdhrave, edhe kryeparlamentari Niko Peleshi ndërpreu seancën për 5 minuta.
Pas mbylljes së seancës, me argumentin se zv. kryeministrja Belinda Balluku nuk po lejohej të fliste, ra në sy fakti se në rinisje Balluku as nuk u shfaq më në sallë, e jo më të kërkonte që të përfundonte fjalën për pr/buxhetin e vitit 2026, si drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka në menaxhim pjesën më të madhe të këtij buxheti.
© SYRI.net